Me dokumente falsë drejt Britanisë, arrestohen 3 persona në Rinas

AKTUALITET


Policia kufitare e Rinasit ka vënë në pranga 3 persona të cilët u kapën me dokumente false në tentativë për të udhëtuar drejt Italisë me destinacion final Mbretërinë e Bashkuar. Në kuadër të operacionit të koduar “Destinacioni Final” për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit nëpërmjet dokumentave të falsifikuara,  policia arrestoi në flagrancë shtetasit E. B., 33 vjeç, dhe E. Xh., 25 vjeç, të dy banues ne Tepelene, si dhe K. X., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Policia kishte informacion nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme se këta persona udhëtonin me dokumente të falsifikuara ndaj dhe i bëri këtyre shtetasve kontroll të imtësishëm në vijën e dytë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar ndaj këtyre personave, shërbimet e Policisë Kufitare Rinas gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 karta identiteti dhe 3 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara.

Këta shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë pasi kishin siguruar dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitete të shtetasve të tjerë (italianë) dhe kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Milanos me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia njofton se vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorëve që kanë pajisur këta shtetas më dokumente të falsifikuara dhe që do t’i ndihmonin për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe.

Të arrestuarit do të përballen me akuzën për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i leternjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” .



Skip to toolbar