“Brenda nëntorit, furtunë mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK”

AKTUALITET


Kryeministri Rama njofton se brenda nëntorit do të nisë furtuna mbi foletë e krimit dhe ndaj atyre që ai i quan “korba të KÇK” dhe që janë prokurorët dhe gjyqtarët që ende nuk kanë kaluar vettingun dhe vijojnë të shkelin ligjin duke bashkëpunuar me kriminelët, siç ishte rasti i prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja. Rama shkruan se është duke punuar me grupin e punës për Ligjin Special kundër KÇK-së, ndërsa ka kthyer përgjigje pse nuk mori pjesë në takimin e PS-së për prezantimin e kandidatëve për delegatë në kongresin e PS-së.

“Kur dal përditë pse del përditë pse del përditë, kur s’dal ca ditë çfarë ka që s’del përditë, historia e vjetër hip se të vrava zbrit se të vrava. Sot e kam nisur ditën me grupin e punës për Ligjin Special kundër krimit të organizuar masat kundër KÇK që po finalizohen në letër.

Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK”, shkruan Rama, i cili më pas njofton se do të niset më pas drejt Ohrit për të zhvilluar takimin e dytë të Minishengenit Ballkanik, ku janë të ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Tani për Ohër ku nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët europianë të nismave rajonale”, shkruan Rama.

Nisma e Minishengenit Ballkanik ka marrë mbështetjen e SHBA-së. I dërguari Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer tha të premten nga Davosi se kjo nismë është një mundësi e mirë për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të Rajonit dhe zhvillimit ekonomik të tyre.



Skip to toolbar