Emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është kthyer në konflikt mes Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Përmes një reagimi në Facebook, presidenti Meta, i cili ndodhet në Forumin e Paqes në Paris, shkruan me tone gati luftarake, kundër vendimmarrjes së KED-së, duke e cilësuar institucionin e Drejtësisë së re të përbërë nga individë të verbër partiake që përdorin marifete në kundërshtim me ligjin. Gjatë të hënës Kuvendi ka parashikuar në seancë parlamentare miratimin e dy kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Më herët në bazë të ligjit të ri, presidenti zgjodhi nga lista e KED, Besnik Muçin për anëtarë të Kushtetueses, i cili madje bëri dhe betimin në presidencë. Ndërkohë Meta kërkoi pezullim të procedurës duke mos zgjedhur anëtarin e dytë që i takonte sepse pretendoi se është radha e kuvendit që të bënte zgjedhje e anëtarit të dytë dhe më pas të zgjidhte sërish ai. Por KED, duke u nisur nga përfundimi i afatit që presidenti kishte në dispozicion, në bazë të ligjit të ri, zgjodhi të parën në listë, që është Arta Vorpsi dhe e publikoi emrin e saj në fletoren zyrtare. Pikërisht këtë procedurë kundërshton Meta.
“Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë ! Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë! Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.
Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!
Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!”, shkruan presidenti në reagimin e tij.
Presidenti thekson se krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Ai gjithashtu u kërkon deputetëve që të tregojnë përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë.