Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka ndezur debate në seancën parlamentare të së hënës, për shkak të kundërshtisë së shprehur nga presidenti Meta, i cili pretendon se KED ka shkelur procedurën ligjore duke e bërë fakt të kryer zgjedhjen e Arta Vorpsit, emri i së cilës është botuar në Fletoren Zyrtare.
Deputeti Ralf Gjoni tha në seancë se është i paqartë për procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi sqarime lidhur me këtë. “Nuk u njoftuam që do të kishte debat. Nuk është e qartë procedura e votimit për kandidaturat për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.
A ka konstitucionalist që do të na e shpjegojë? Ku janë ekspertët që janë marrë më draftimin e reformës në Drejtësi të na shpjegojë vakumin e krijuar? Pse nuk janë përfaqësuesit e Euralius sot këtu?”-tha ndër të tjera deputeti Gjoni.
Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat Rudina Hajdari ka deklaruar se nuk duhet të cenohet integriteti i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo ka një rol vendimtar.
“Jemi para faktit të kryer. Opozita në Kuvend do të gjejë një gjuhë të përbashkët, por jo të shkelë ligjin. Duhet të trajtojmë këtë çështje. Duhet të gjejmë një dakordësi. Të gjitha palët të tregojnë vullnetin e duhur për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ka shumë të bëjë dhe është përcaktuese në lidhje me integritetin e saj. Nuk duhet të cenojmë integritetin e saj”, tha Hajdari.
Në përgjigje të shqetësimit të deputetëve, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi sqaroi se në lidhje me procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe pretendimeve të Presidentit ai ka thirrur mbledhjen e Këshillit Legjislativ që të diskutojë dhe të vlerësojë nëse janë zbatuar siç duhet procedurat kushtetuese. Ruçi tha se Kuvendi nuk zhvillon debat për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm voton kandidaturat.
“Kam kërkuar që të thirret Këshilli i Legjislacionit mbi kushtetutshmërisë e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në Kuvend nuk mund të diskutohet rreth kandidaturave. Janë diskutuar kur kanë aplikuar, nga organi i emërtesës KED. Kuvendi vetëm voton. Këshilli i legjislacionit do të diskutojë kushtetutshmërinë e procedurës”, tha Ruçi.
Presidenti Meta reagoi të hënën duke iu drejtuar deputetëve që të kenë kujdes në zbatimin e procedurave ligjore për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se KED ka shkelur ligjin. Presidenti zgjodhi kohë më parë Besnik Muçin si anëtar të Kushtetueses dhe më pas pezulloi të drejtën e tij për të zgjedhur duke pretenduar se radhën e ka Kuvendi. KED në përfundim të afatit 30 ditor që ka presidenti zgjodhi automatikisht të parën në listë Arta Vorpsin, duke ezauruar të drejtën e presidentit për të zgjedhur anëtarin tjetër. Ndërsa ditën e hënë Kuvendi i Shqipërisë do të votojë kandidatët e tjera në listë që janë Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Gjithësesi më parë do të pritet konkluzioni i Këshillit Legjislativ të Kuvendit në lidhje me procedurën në fjalë.