“Negociatat në maj, politikanët shqiptarë të heqin dorë nga interesat partiake”

AKTUALITET


Kryetari i ri i Delegacionit të Parlamentit Europian në komitetin e Stabilizim Asocimit  BE- Shqipëri, Manolis Kefalogiannis, shpreh bindjen se politikanët shqiptarë do të heqin dorë nga interesat vetjake dhe do të dinë të bashkohen për interesin e përbashkët që është çelja e negociatave për në BE. Sipas tij “aderimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë një qëllim kombëtar për Shqipërinë dhe jo një qëllim për një ose një parti tjetër politike. Ai gjithashtu duhet të konsiderohet si një platformë e pëlqimit midis partive politike. Raporti i Komisionit Evropian nënvizon këtë fakt. Unë shpreh sigurinë time që përpara qëllimit të përbashkët, ata do të lënë mënjanë interesat e tyre dhe do përqendrohen në të mirën e përbashkët, aderimin evropian të vendit”, është shprehur Kefalogiannis në një intervistë për “europeanwesternbalkans.com.”

Ai ka deklaruar se çështja e negociatave do të diskutohet sërish nga liderët e BE-së në muajin maj ku pritet të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kefalogiannis thotë se Macron nuk ishte pro vazhdimit të zgjerimit edhe për shkak të procesit Brexit, që duhet thënë se ka shumë rëndësi për BE. Por ai shpreh bindjen se çdo kundërshtim nga Franca do të fshihet në muajt në vijim.

“Vendimi për fillimin e procesit të anëtarësimit është shtyrë, ai është caktuar për majin e vitit 2020. Megjithatë, kjo është diçka që nuk duhet të zhgënjejë dy vendet kandidate dhe popullin. Ata duhet të qëndrojnë me përpjekjet e tyre për të përfunduar intensivisht të gjitha reformat e nevojshme pa dështuar me orientimin e tyre evropian dhe të ardhmen e tyre evropiane. Bashkimi Evropian duhet të përballet me dy sfida në pesë vitet e ardhshme, thellimin dhe zgjerimin. Unë besoj se mund të bëjmë hapa të mëdhenj në të dy fushat. Në Samitin e fundit Evropian, Presidenti Francez Emmanuel Macron, nuk ka qenë i gatshëm drejt Zgjerimit, duke u përqendruar më shumë në thellimin dhe reformimin, mbase për shkak të Brexit. Mbretëria e Bashkuar padyshim ka kontribuar në një Evropë të lirë, po punohet shumë pasi Brexit do jetë një humbje e madhe për të gjithë ne që besojmë në idealin Evropian.

Sidoqoftë, Evropa është vendi i dialogut dhe kompromisit, kështu që unë sinqerisht shpresoj se deri në majin e ardhshëm çdo kundërshtim nga Franca do të jetë fshirë dhe procesi i pranimit të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor do të fillojë”, është shprehur Kefalogiannis, i cili gjithashtu është shprehur kundër idesë së shkëputjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në vendimin e ardhshëm të KE-së.

“Unë mendoj se çdo shkëputje e tillë do të dërgonte mesazhin e gabuar. Do të krijonte më shumë probleme sesa ato që do të zgjidhnin. Dhe do të krijonte më shumë çështje të stabilitetit politik në Shqipëri dhe përfundimisht një diskurs anti-evropian si me liderët shqiptarë, ashtu edhe me shoqërinë, i cili do të kuptonte se përpjekjet e tyre janë tretur. Bashkimi Evropian duhet të marrë një vendim jo se sa vende do të hyjnë dhe as se sa proceset e pranimit do të ndryshojnë në tërësi. Bashkimi Evropian duhet në të njëjtën kohë të jetë në gjendje të pranojë vende të reja. Ky bashkim do të thotë që Evropa ka një zë, një vendim, një politikë të përbashkët në çdo fushë: në politikë, në ekonomi, në punët e jashtme, në çështje të sigurisë dhe terrorizmit, në mbrojtjen e kufijve evropian”, është shprehur kreu i delegacionit të PE-së për Shqipërinë.

Kefalogiannis gjithashtu theksoi dhe njëherë detyrat që duhet të përmbushë Shqipëria ku prevalon lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi.

“Bisedimet e pranimit me Shqipërinë do të kontribuojnë në thelb në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin fqinj. Çështjet me të cilat Bashkimi Evropian po përballet sot me Shqipërinë kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit ligjor dhe institucional drejt forcimit të transparencës dhe luftës ndaj krimit të organizuar sepse ato çështje janë jetike për jetën e përditshme të qytetarëve. Përfundimi i reformës në sistemin gjyqësor është një kërkesë themelore e qytetarëve. Është gjithashtu një parakusht për të rifituar besimin në sundimin e ligjit, në institucionet publike dhe politikanët. Shqipëria duhet të tregojë respekt të plotë për të drejtat sovrane të fqinjëve, të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të minoriteteve”, thekson Kefalogiannis./realstory.al



Skip to toolbar