Rama i vë vizën Metës: Nuk merrem me të, ai po sulmon SHBA-në

AKTUALITET


Kryeministri Rama tha nga parlamenti se nuk merret më me Metën i cili e ka bërë të zakonshme luftën e tij me drejtësinë, ndërsa i cilësoi të turpshme sulmet ndaj aleatëve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe BE-së. Rama theksoi se SHBA dhe BE janë promotorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të reformës në drejtësi prej fillimit të procesit. Sipas Ramës, Meta e ka kthyer zyrën e tij në presidencë në një frëngji për të shantazhuar kuvendin, drejtësinë dhe popullin shqiptar.

“Një histori e zakonshme me Ilir Metën dhe edhe një herë tjetër përplasja është jo mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë. Dhe edhe një herë tjetër për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin në një frëngji prej ku sulmon nga të katër anët duke qenë ne këtu 100 % jo 99%, por 100 % në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE dhe natyrisht pastaj është e lehtë të kuptohet pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatët e mëdhenj të palëkundur të Shqipërisë, SHBA dhe BE duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo komode dhe të turpshme, sepse insinuon haptaz se këto përfaqësi të nderuara të shteteve që janë qysh në ditën e parë të procesit të reformës në drejtësi promotore dhe mbështetëse të kësaj reforme, akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp, dhe pas kësaj besoj se nuk ka as nevojë të zgjatemi e të stërgjatei për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona. Këtë herë nuk do merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë”, tha Rama.

Ai ftoi Kuvendin që shumë shpejt të mblidhet dhe të neutralizojë aktet e presidentit ndërsa tha se ndryshimet ligjore ia dhanë të drejtën KED-së që të përcaktojë listat për kandidatët e Kushtetues në mënyrë që procesi të mos ishte politik.

“Në dritën e kësaj ngjarje kuvendi duhet të bëjë gati dhe të votojmë këtu në kuvend neutralizimin e akteve të presidentit. Është shumë e thjeshtë, kemi bërë një reformë drejtësie për të hequr interesat e politikës dhe të pazarave të politikës nga procesi i emërimeve. Kemi ngritur një institucion të posaçëm, të pavarur, KED-në, i cili është institucioni i vetëm që ka detyrimin të udhëheqë procesin dhe t’i vendosë përpara presidentit dhe kuvendit listat e kandidaturave sipas mekanizmave të mirëpërcaktuar. Nuk ka interpretime të mundshme në këtë proces. Nuk mund të themi që KED e ka gabim. Është njëlloj sikur të themi që qeveria të vendosë se një gjykatë e ka gabim”, tha Rama, i cili tha se Meta ka humbur busullën, ndërsa qeveria që ai drejton po ecën në të njëjtat hapa të koordinuar me SHBA dhe BE për sa i përket reformës në drejtësi./realstory.al



Skip to toolbar