Policia e Shtetit ka bërë gati planin e masave për ndeshjen e së dielës mes Shqipërisë dhe Francës që do të luhet në stadiumin e ri, “Air Albania Stadium”. Për mbarëvajtjen e ndeshjes policia njofton se do të bllokohen të gjitha rrugët hyrëse për te stadiumi përveç Unazës dhe Rrugës së Elbasanit, ndërsa ka dhënë piketa të qarta se ku do të mund të parkohet. Po kështu policia njofton se do të ngrihen disa pika kontrolli për tifozët të cilët do të kenë hyrje të veçanta në stadium në bazë të vendit që kanë në biletë. Tifozët këshillohen që të mos kenë me vete në stadium shishe, sende metalike, fishekzjarrë apo mjete të tjera, pasi do të kontrollohet fizikisht një më një. Ndërkohë që automjetet që do të parkohen në afërsi të stadiumit do të kontrollohen për eksploziv. Hyrja për në stadium do të nisë që në orën 18.30.
Konkretisht për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.
Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.
Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.
Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:
• Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobuzat do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.
• Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzat do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.
• Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobuzat do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
“Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:
1. Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.
2. Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).
3. Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
4. Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
5. Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).
Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.
Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30. Ftojmë qytetarët të afrohen pas kësaj ore për të hyrë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit”, njofton policia e Shtetit.
Ndërsa për tifozët këshillohen që përveç biletës të kenë me vete dokument identifikimi dhe të mos tentojnë në asnjë mënyrë të fusin në stadium sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë.
“Njoftojmë qytetarët shqiptarë se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv”, njofton Policia, e cila fton drejtuesit e automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje.