Njoftuan Kajmakun të ikte, hetim policëve

AKTUALITET


Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit ka nisur një hetim të brendshëm në lidhje me disa efektivë policie, pasi dyshohet se është dekonspiruar operacioni për arrestimin e ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Burime nga Policia njoftojnë se SHÇBA dyshon se disa punonjës policie kanë njoftuar Kajmakun për mandat-arrestin, ndaj dhe ai është larguar nga banesa dhe ende nuk është kapur nga policia.

Gjatë 10 ditëve të fundit, Policia ka kryer kontrolle në banesën e Agim Kajmakut dhe familjarëve të tij, për të lokalizuar ish-kryebashkiakun e Vorës por ende nuk e kanë kapur.

Agim Kajmaku është shpallur në kërkim për 3 vepra penale. Sipas prokurorisë ish-kryebashkiaku i Vorës akuzohet për: “Shpërdorimi të detyrës”, “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Pasi u shkarkua nga KQZ nga posti i kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku firmosi shkarkimin e dy nënkryetarëve të bashkisë Vorë, Laureta Omeri dhe Hysen Brahimi, duke falsifikuar datën e vendimit. Akt ky që dënohet nga nenet 248, 190 dhe 249 të Kodit Penal. Për Agim Kajmakun ka një urdhër arresti nga prokuroria, por kjo masë sigurimi nuk është ekzekutuar nga policia pasi Kajmaku nuk gjendet. Ai ka fikur edhe celularin, ndërsa edhe avokati mohon të ketë dijeni për vendndodhjen e tij.



Skip to toolbar