Kolegë, miq e të afërm kujtojnë më 20 nëntor ndarjen nga jeta të ish deputetit demokrat Sokol Olldashi. Ai ishte një nga figurat më të shquara të Partisë Demokratike që ndërroi jetë në një aksident tragjik më 20 nëntor të vitit 2013. Aksidenti ndodhi rreth orës 21.20 në rrugën e Elbasanit, në Kërrabë ku për shkak të motit të keq automjeti i tij doli nga rruga, u kthye përmbys duke bërë disa rrotullime.
Sokol Olldashi u lind në Durrës, për shumë vite punoi si gazetar në mediat pranë PD-së, dhe më pas u bë deputet i kësaj partie. Ai ka mbajtur postin e Ministrit të Transportit dhe ministrit të Brendshëm, gjatë qeverisjes së PD-së.
Në korrik të vitit 2013, pas humbjes së zgjedhjeve elektorale nga Partia Demokratike dhe dorëheqjes së Sali Berishës nga posti i kryetarit të partisë, Olldashi kandidoi për kryetar partie, përballë Lulzim Bashës, në një proces zgjedhor të debatuar për parregullsi, ku Olldashi nuk arriti të fitonte.
Disa muaj më pas ish deputeti ndërron jetë në aksidentin tragjik. Olldashi mbahet mend edhe si një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.