Lirimi i Çapjas dhe Çelës, Policia: Të zhgënjyer, gjykata i dha krahë krimit

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka shprehur zhgënjimin për lirimin nga burgu të Florenc Çapjes dhe Suel Çelës me vendimin e Gjykatës së Elbasanit, duke theksuar se me këto vendime drejtësia i jep krahë krimit dhe zhvlerëson punën e bërë nga policia në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Policia thotë se që të dy personat që u lanë të lirë nga gjykata janë të rrezikshëm, dhe janë krerë të grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit, për të cilët policia ka mbledhur prova të pakontestueshme për implikimin  e tyre në vepra penale.

“Policia e Shtetit, në bashkëpunim dhe me partnerë ndërkombëtarë ka bërë një punë shumë të madhe dhe punonjësit e saj kanë sakrifikuar shumë për sigurimin e provave të shumta të këtij procesi.

Policia e Shtetit shpreh zhgënjimin e thellë për këto dy vendime të paligjshme, të cilat i japin krah krimit dhe synojnë të frenojnë punën e saj, por ajo është e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në tërësi.

Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të cilitdo që shkel ligjin”, thekson Policia e Shtetit.

Lirimi i Florenc Çapjas

Gjykata e Elbasanit liroi gjatë të mërkurës me vendim të gjyqtarit Tomor Kullulli lirimin nga burgu të Florenc Çapjas. Sipas policisë së shtetit ky person ka precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit.

Sipas policisë Florenc Çapja është arrestuar në datën 14.06.2019, gjatë operacionit policor “Krasta”, zhvilluar në Elbasan, pasi gjatë hetimeve të kryera nga Njësia Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në provat e administruara në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan rezultoi se ishte autor i vrasjes së mbetur në tentativë të ish-punonjësit të Policisë, shtetasit F. D., ngjarje e ndodhur në vitin 2006.

Në lidhje me këtë ngjarje gjykata e Elbasanit e pushoi çështjen në vitin 2007, por çështja u rihap sërish në vitin 2018. Sipas policisë gjatë vitit 2018 dhe 2019, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj ngjarjeje dhe më pas Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin e dyshuar si autor, Florenc Çapja.

Nga provat e administruara, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore e proceduriale, pas analizës në bashkëpunim me Prokurorinë, është vendosur që ngjarja të marrë një tjetër kualifikim, nga “Vrasja me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Policia thotë se gjyqtari Tomorr Kullolli e ka mbajtur për rreth një muaj e gjysëm në shqyrtim dosjen për Florenc Çapjan dhe të mërkurën më 20.11.2019 vendosi pushimin e çështjes dhe jo vetëm kaq por urdhëroi lirimin e tij nga burgu duke e lënë atë të lirë.

“Sjellim në vëmendje faktin se shtetasi Florenc Çapja është i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të rrezikshëm kriminal që vepron në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i arrestuar shumë herë për vepra të rënda penale, po që ka arritur të lirohet dhe t’i shpëtojë ndëshkimit në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të paligjshme.

Ky vendim nuk është i formës së prerë, por gjithsesi ka bërë që ky individ me rrezikshmëri te lartë shoqërore të lirohet nga burgu dhe sot të jetë i lirë”, theksoi policia e cila shpreh zhgënjimin për këtë vendim.

Lirimi i Suel Çelës

Po dje, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me gjyqtarë: kryetar seance Klodian Kurtishi, anëtar Fran Prendi, anëtar Sandër Simoni, shpalli të pafajshëm të pandehurin Marjus Lulaj alias (Suel Çela), i cili gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë.

Suel Çela akuzohet se në datën 10.09.2017, rreth orës 20:00, pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, Elbasan, në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës.

Në seancën e datës 04.11.2019, nga ana e Prokurorisë janë paraqitur konkluzionet përfundimtare, ku është bërë ndryshimi i akuzave për të pandehurit, Marjus Lulaj (Suel Çela) dhe është kërkuar dënimi i tij për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, dënim i parashikuar me 7 vjet burgim, por gjatë të mërkurës kjo trupë gjykuese ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.

Policia thekson se ky shtetas është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.



Skip to toolbar