“Ti s`di asgjë, bën prokurorin dhe gjykatësin”, Vasjari dhe Lubonja debate të forta në Real Story

AKTUALITET


Kriza për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe përplasjet që ajo ka krijuar mes Presidentit, Parlamentit dhe KED, shkaktuan debate të forta në studion e “Real Story”. Analisti Arian Vasjari u përlas me analistin Fatos Lubonja. Vasjari doli kundër të bërit akuza publike, ndërsa u shpreh se Lubonja bën populizëm penal. Ndërkohë, Fatos Lubonja u shpreh se kur ka ngritur akuza publike, duke sjell në kujtesë rastin e Unazës së Re, ka pasur fakte.

Pjesë nga debati midis analistëve Vasjari dhe Lubonja:

Vasjari: Unë s’po bëj avokaturën e askujt, por po flas për një qasje tmerrësisht të gabuar që ndeshet kudo. Gatishmëria e të gjithëve për të bërë gjykatësin dhe prokurorin, të cilëve edhe mund t’ua bënin kritikën, por minimalisht duhet të njohin dosjen. Është shumë kollaj që nga një studio kaq kualitative sa kjo e jona, të ngresh akuza, të bësh atë që e kam thënë edhe njëherë tjetër, populizmin penal, që është i tmerrshëm. Po bën, Fatos, populizëm penal.

Lubonja: Po ke dosjet e BILD, ke dosjet aty, dashke prova ti. Dosjet që publikoi BILD çfarë janë.

Vasjari: Kush të tha që dosja e BILD përbën provë? Përgjimi nuk është prova, por instrument që dërgon tek prova.

Lubonja: Ti e ke sheshit krimin edhe thua preuzumimi i pafajësisë.

Vasjari: Tani ti Fatos meqë e ke kaq për zemër këtë drejtësinë, tani zgjidh të bësh o analistin ose gjykatësin se të dyja nuk mund t’i bësh dot të lutem.

Lubonja: O Zotëri unë po jap gjykime këtu.

Vasjari: Patjetër, patjetër, por jo të shpallësh fajtor. Sepse në psikën e shoqërisë ti zë një vend, dhe ti akuzon e pastaj le të shpallen patjetër fajtor.

Lubonja: E ke dëgjuar Pier Paolo Pasolinin. Paolo Pasoli ka bërë një shkrim ku flet për mafiozët. Thotë unë e di por nuk kam prova. Unë e di se s’kam prova, por i kanë ata që kanë bërë krimin, se i ka shteti unë e di dhe me prova.

Vasjari: Ka prova dhe gjykim penal. Po bën populizëm penal. Ti nuk di asgjë. Ka peshë të caktuar në zemër dhe në mendjen e atyre që na ndjekin.

Lubonja: Kur kemi denoncuar skandalin e Unazës, kam thënë se është korrupsion. Unë kisha provën, kisha ujkun, hajdeni më arrestoni nëse kam shpifur kam thënë.

Vasjari: Nëse ne do të vazhdojmë të bëjmë seanca gjyqësore në studio, ne as drejtësinë nuk e nihmojmë, as korrupsionin nuk e luftojmë.

Lubonja: Po na fyen punën që po bëjmë, ç’është kjo seancë gjyqësore.

Vasjari: Ti akuzon Ramën, i thua se je i korruptuar. I ke bërë akuzën më të rëndë. Nëse ne operojmë me ‘ai është hajdut…’, edhe nëse është 30% e vërtetë, e bëjmë 100% të vërtetë. Nuk është etikisht, ligjërisht e pranueshme. Si do ndiheshe ti, nëse do të thoja ti je hajdut, i korruptuar?

Lubonja: Do të të thoja ma aprovo. Gazetaria investigative nxjerr prova. Kanë bërë gabim që të kanë marrë si gazetar, ti duhet të merreshe si gjykatës. Ore ti nuk di çfarë është gazetaria investigative.

Vasjari: Cila është gazetari investigative, ajo që shfaq kriminelë e hajdutë? Është një kulturë populizmi penal.

Lubonja: Ka raste konkrete, përmend teatrin psh, ku merr gjithë kompetencat e këshillit bashkiak për t’ia dhënë një kompanie “Fusha” dhe hajde e gjeje pse bëhen këto shkelje.

Minxhozhi: E di ku ka të drejtë Arjani, është çështje e një kulture të ndyrë gjuhësore. Ka krijuar një zhargon, ku ti merr të drejtën e thua ‘vrasës, trafikant, hajdut, i korruptuar’ dhe kjo lloj kulture gjuhësore ka një tempull të shenjtë, që quhet Parlamenti i Shqipërisë. Nëse në Itali një njeri i drejtohet një politikani dhe i thotë “je i korruptuar”, direkt i kthehet “të çoj në gjyq”. Këtu, në vend që unë t’i them një, i them pesë. Kjo vjen nga kultura jonë e përgjithshme si shoqëri për të thënë llafin e fundit.

Lubonja: Andrehoti u hetua për një puthje, nuk kam dëgjuar të jenë hetuar ata që e thanë këtë. Tani këtu sistemi po nxjerr gjyqtarët e korruptuar, më thoni pse të them ‘të korruptuar’. Unë krimin e shoh sheshit. Ti kërkon të më frustrosh mua, sikur kam thënë një gjë që s’duhet ta thoja. Nevoja që kemi ne është që unë ta them këtë, që Prokuroria të shkojë të hetojë paratë e atyre grataçelave, nga kanë ardhur.

Minxhozhi: Në mungesë të drejtësisë kemi trashë gojën pra, ky është problemi.

Lubonja: Për mua rruga për të dalë nga kjo nuk është një anije, por një çështje flote, ku të gjithë pushtetet, mundësisht dhe pushteti mediatik, të jetë në krah të asaj drejtësie që mbështet opinionin publik për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Duhet reformim i partive politike, i ligjeve, i mediave dhe shumë gjërave.

Minxhozhi: Na e çove zgjidhjen në 2100.

Vasjari: Nuk kam asnjë lloj qëllimi të frustroj ty. Unë shtrova një çështje principale. Unë do iu them atyre politikanëve të pafajshëm, deri sa të ketë një vendim. Gjithsecili mund të merret me provat e rrugës, unë nuk merrem. Këtë kulturë të fëlliqur na e ka adoptuar politika, dhe e kanë marrë edhe studiot.



Skip to toolbar