Djaloshi 11-vjeçar Alvin Berisha, i cili pak javë më parë u nxor nga kampi Al Hol në Siri ka nisur një jetë të re, por askush nuk mund të fshijë nga kujtesa e tij tmerret që përjetoi në kampin e ferrit dhe më herët gjatë qëndrimit në Siri. Gazetari shqiptar bashkëpunëtor i Le Iene Taulant Kopliku, i cili mundësoi takimin mes babait dhe Alvinit rrëfen për ‘News24’ se për ditë me radhë në Siri vogëlushi është ushqyer vetëm me fije bari. Këtë detaj ia ka treguar babait të Alvinit, një grua kosovare e cila kishte marrë 11-vjeçarin pas bombardimit ku humbi jetën nëna e tij.
“Ato 10 ditë kanë qenë ditë të tmerrshme për atë fëmijë, pasi ishte i plagosur. Kishte rrjedhje gjaku. Janë transportuar në disa zona ku ka pasur stane bagëtish. Janë ushqyer me gjethe dhe bar për 10 ditë me radhë. Gjëja që i ka thënë ajo grua ishte se; ‘ky fëmijë nuk është ankuar kurrë’. Ai ishte i vendosur që të vazhdojnë rrugën me ta”, tha Taulant Kopliku.