Nisma hyn në Kuvendin e Kosovës

KOSOVA


Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve ka përfunduar rinumërimi i 1408 vendvotimeve me vendim të PZAP-së. Nga rezultatet e nxjerra pas rinumërimit, Nisma Socialdemokrate ka kaluar pragun, duke u bërë pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës.

NISMA Socialdemokrate e kishte nisur me mbi 20 vota mbi prag procesin e rinumërimit të 1408 kutive, ndërsa pas rinumërimit e ka rritur në 30 vota mbi prag. Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarët e Nismës, të cilët kanë thënë se pas rinumërimit, Nisma do të jetë përfundimisht pjesë e Kuvendit të Kosovës. Fatmir Limaj, Behgjet Pacoli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj dhe Mirlinda Sopi do të jenë deputetët e këtij koalicioni në legjislaturën e ardhshme.

Kjo do të sjellë ndryshime të reja në përllogaritjen e deputetëve edhe për dy partitë fituese, të cilat deri tani e kanë mbajtur pezull marrëveshjen e koalicionit, me qëllim për të pritur rezultatin përfundimtar. Tashmë pritet edhe njoftimi zyrtar i KQZ, që i hap rrugë koalicionit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, deklaroi një ditë më herët, se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja është e gatshme të certifikojë menjëherë rezultatin e zgjedhjeve. Dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhje Lëvizja Vetëvendosja si parti fituese dhe LDK, që e pason atë me një diferencë të vogël, që nga përfundimi i zgjedhjeve me 6 tetor po diskutojnë në kuadër të grupeve punuese për harmonizimin e programeve për krijimin e qeverisë së re. Të dy grupet thonë se tashmë mbi 80% e kanë harmonizuar programin qeverisës, ndërsa, zyrtarizimi i koalicionit dhe ndarja e posteve qeverisëse besohet se do të ndodhë pas takimit të dy liderëve të dy subjekteve politike, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës. E ky takim u zhvillua të premten në mbrëmje, por, asnjëri nga politikanët nuk treguan detaje, nëse janë dakorduar për ndarjen e posteve qeveritare.



Skip to toolbar