Vila në Surrel, Rama sfidon politikanët: Bëni transparencë për shtëpitë

AKTUALITET


Kryeministri Rama gjatë prezantimit të platformës ligjore Anti-KÇK u ktheu përgjigje akuzave për shpenzime marramendëse për ndërtimin e vilës në Surrel. Kryeministri, ndërsa tha se vila e Surrelit, përveç formës së çuditshme, është një shtëpi banimi siç kanë gjysmë milioni shqiptarë, ftoi të gjithë politikanët që të bëjnë transparencë për shtëpitë e tyre. Kryeministri tha se vila e tij në Surrel është e deklaruar 100% me fatura.

“Vila ime në Surrel? Cila vilë në Surrel? Ne kemi bërë një inventar së bashku me ministren e Shëndetësisë në funksion të një programi për të ndihmuar familjet në shtëpi që janë shëmbëlltyrë e mjerimit, ato shtëpitë që bëjnë lajm, që kur shfaqen në rrjetet sociale, bëhen virale, ato shtëpitë që i bëjnë treçerekun e komentatorëve të thonë, kjo është Shqipëria. Inventari që kemi bërë është se këto shtëpi në gjithë Shqipërinë janë 1600 e pak. Por sa janë vilat si puna e asaj të Surrelit që janë ndërtuar në Shqipëri? Dhe këtu kam parasysh shtëpitë me 2-3 dhe 4 kate, që janë produkt i punës në pjesën më të madhe të tyre: Janë mbi gjysmë milioni. Ajo vila ime në Surrel ka një formë që e ka të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët.  Por në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptare, është një banesë individuale e një familje shqiptare më shumë. Për të gjithë ata që kanë hedhur pafund baltë lidhur me këtë, mund të them vetëm që: Shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj dhe me çdo faturë. Dhe unë do isha shumë i lumtur nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të binin dakord të bënim një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat, dhe sa korrespondojnë të ardhurat me produktin”, u shpreh kryeministri.



Skip to toolbar