Drafti Anti-KÇK. Strukturë speciale me kompetenca prokurorie

#NËRADAR


Kryeministri Rama ka prezantuar të hënën paketën ligjore Anti-KÇK, një draft, sipas të cilit do të ngrihet një strukturë e re policore, me kompetenca speciale për krimin e organizuar, terrorizmin dhe krimet e rënda, ndërsa zgjerohet edhe rrjeti i personave që do të hetohen për pastrim parash.

Dy drejtori përgjegjëse

Në draftin e siguruar nga Realstory.al rezulton se projektligji parashikon ngritjen e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit, e cila do të quhet Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe do të ketë varësi direkte nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kjo drejtori, bashkë me Drejtorinë e Antiterrorit do të jenë dy strukturat përgjegjëse për zbatimin e çdo dispozite që ngarkon Policinë e shtetit në këtë ligj. Të dyja drejtoritë do të ushtrojnë funksionet e tyre në një godinë të përbashkët të posaçme vetëm në funksion të tyre. Në varësi të drejtpërdrejtë të tyre, në 12 drejtoritë vendore të policisë do të ngrihen drejtoritë rajonale kundër krimit të organizuar dhe antiterrorist. Deturat dhe përgjegjësitë kryesore të dy drejtorive do të jenë mbledhja e informacioneve, përditësimi, përpunimi i të dhënave dhe kryerja e çdo veprimi administrativ, procedural e hetimor që parashikohet në dispozitat dhe për subjetket e këtij ligji. Struktura, përbërja dhe pagat me të cilat do të trajtohen punonjësit e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Antiterrorit do të përcaktohen me akte nënligjore në zbatimin e tij.

Por çfarë detyrash kanë?

Ashtu si Rama kishte paralajmëruar, në draftin e siguruar nga Realstory.al, rezulton se strukturat e policisë kriminale kërkojnë informacion për parandalimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të tjera të rënda për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Madje, në ligj është parashikuar  që personat juridikë që ofrojnë mjete, shërbime të komunikimeve elektronike dhe kompanitë e telefonisë celulare janë të detyruar t’i japin Policisë së Shtetit, me kërkesë të saj çdo informacion të nevojshëm për të përmbushur detyrat funksionale për parandalimin deri në goditjen e organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deri më sot, këto të dhëna disponoheshin vetëm nga prokuroria, por tashmë mund t’i sigurojë edhe policia. Po ashtu, drafti ka parashikuar që organet shtetërore apo entet publike, subjektet private janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave për informacion, të dhëna dhe dokumente, të dërguara nga Policia e Shtetit brenda 10 ditëve kalendarike. Në raste emergjente, policia mund të kërkojnë informacion edhe brenda një afati më të shkurtër sesa 10 ditë.

Ky ligj i jep të drejtë policisë, që të marrë akses të drejtpërdrejtë në sistemin e teknologjisë së informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga institucionet publike, subjektet private si dhe në çdo lloj regjistri publik, lidhur me të dhënat për gjendjen gjyqësore, regjistrim të gjendjes civile, të dhënat për pasaportat dhe dokumentet e tjera të identifikimit, të dhënat për pasuritë dhe të gjitha të dhënat e tjera, ndërsa institucionet, qoftë private apo shtetërore janë të detyruara të japin këtë informacion.

Përgjimet, vëzhgimet dhe kontrollet

Policia e Sthetit për herë të parë mund të bëjë vetë përgjime me indicie pa pasur nevojë për vendim gjykate, por vetëm urdhër prokurori. “Përgjimet mund të përdoren vetëm për qëllimin dhe vazhdimin e gjurmimit hetimor dhe nuk kanë vlerë si provë gjyqësore”, deklarohet në draft, ku shpjegohet se në fund vendos prokurori për asgjësimin apo mbajtjen e tyre.

Po ashtu, dy kompetenca të tjera që merr policia me këtë ligj është vëzhgimi sekret dhe kontrolli i banesave, pa pasur nevojë për urdhër prokurori. “Strukturat e policisë kryejnë vëzhgime sekrete fizikisht dhe nëpërmjet përdorimit të mjeteve optike, filmime, fotografi, e pajisje të tjera dhe vëzhgimet sekrete autorizohen nga drejtuesi i strukturës vendore të policisë si dhe nga strukturat qendrore të policisë kriminale”, deklarohet në draft. Edhe për kontrollet sa i përket krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të rënda, policia mund t’i ushtrojë, si në ndërtesa private ashtu edhe shtetërore, me iniciativë nga një punonjës policie me gradën nënkomisar e lart.

Pasuritë e sekuestruara

Një vëmendje të veçantë i është dhënë në këtë paketë aseteve dhe pasurive të sekuestruara, ku veçse janë përcaktuar procedurat sesi bëhet sekuestrimi, është përcaktuar qartë sesi do veprohet pas sekuestrimit. Po ashtu, struktura që do krijohet por dhe BKH kanë të drejtë të nisim hetim pasuror për individët që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie. Me këtë ligj, ku janë përcaktuar qartë edhe nenet e Kodit penal ku do të shtrijë aktivitetin, struktura i ngjan kompetencave të Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila me shkrirjen e saj pas ngritjes së SPAK, duket se bashkëpunimin do ta ketë, jo vetëm me Byronë Kombëtare të Hetimit, por edhe me këtë strukturë të re, të cilën Rama e pagëzoi disa javë më parë me emrin KÇK (Kap ça të kapësh), duke futur në objekt të hetimit edhe ata persona që cilësoheshin si të paprekshëm.



Skip to toolbar