Për kryeministrin Rama zbatimi i paketës anti KÇK është prioritare për qeverinë e tij, ndaj ai kërkoi nga deputetët e partisë së tij që ta miratojnë në parlament pa asnjë përjashtim. “Kush nuk voton këtë paketë ligjore në parlament, përjashtohet nga grupi parlamentar i PS-së”, tha Rama në fund të fjalimit të tij. Kryeministri bëri një prezantim të detajuar jo vetëm të 7 prioriteteve të qeverisë deri në fund të mandatit, por edhe të paketës anti KÇK, duke thënë se kjo paketë do të bëjë namin dhe do të nxjerrë kriminelët nga foletë.
“KÇK është një organizatë kriminale gjykatësisht dhe prokurorësh që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar. Janë një kancer në sistem që me fillimin e vettingut dhe me rezultatet e para të vettingut ka hyrë në fazën e vet më agresive. Janë njerëz që e dinë që nuk kanë asnjë shans ta kalojnë vettingut, ndaj po shfaqen shumë më hapur se deri dje kur punonin me një ritëm më të avashtë dhe me bindjen që e kishin jetën para dhe askush nuk do t’i lëvizte nga vendi. Tani kanë vetëm kohën e mbetur deri kur të dalin para vettingut që e dinë që nuk kanë asnjë shans. Prandaj motoja e tyre, nuk është fantazi, e thonë ata, është kap ça të kapësh, KÇK”, tha Rama ndërsa përmendi edhe njëherë rastin e prokurorit Ndoja në Durrës, i cili vërtetoi ekzistencën e KÇK ku prokurori shëtiste në makinë me një personazh të krimit dhe brenda në bagazhin e tij u gjetën dosjet e vjedhura të prokurorisë.
“Rasti i Durrësit është flagrant, për fat të mirë e solli rastësia, që u gjendën në një makinë bashkë, prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar. Dhe në bagazhin e makinës dokumentet e vjedhura të prokurorisë, ato që për një kohë të gjatë, i vendoseshin nga fronti kundër reformës në drejtësi në kurriz Donika Prelës. Ndërkohë u gjendën në atë makinë. Çfarë duhet të bëjmë ne? Të presim vettingun e tyre? Ku për shkak të këtij sistemi drejtësie dhe fakti që kriminelët i kanë shpatullat e ngrohta ka një paturpësi ekstreme, mungesë ekstreme frike jo e jo, por edhe mungese për të fshehur gjurmë. Ç’mund të bëjmë ne kur një kriminel merr peng Hipotekën e Vlorës dhe policia nuk vepron për shkak se gjykata dhe prokuroria thjesht nuk vepron”, pyet Rama.
Ai tha se këtyre personazheve do t’u kërkohet që të provojnë me fakte se pasurinë e kanë si rezultat të punës së ndershme dhe jo si rezultat i bashkëpunimit me krimin. Rama i bëri thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit që të marrin masa për pezullimin dhe inspektimin e anëtarëve të kësaj organizate kriminale. “Deri në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nëse ne nuk e bëjmë këtë do bëhet nami në Shqipëri. Do kemi çdo javë shfaqje tërbimi në shkelje të ligjit. Në rast se inspektimi vlerëson që anëtari i organizatës kriminale, gjykatësi apo prokurori që ka shkelur ligjin është në shkelje, mbi të duhet të fillojë procesi anti-mafie. Të provojë nga i buron pasuria”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se ndaj personave që ka dyshime të kenë vënë pasuri nga krimi, do të merren masa të tre karaktereve: pasuror, ekonomik dhe personal. Shefi i mazhorancës tha se nuk do të ndalohet vetëm dalja nga territori i Shqipërisë, por do të ndalohet edhe dalja nga një qytet.
“Ndalimi për të dalë nga territori i Shqipërisë, tek perimetri i një subjekti, që nuk mund të dalë nga Fushë-Kruja, Vlora, Shkodra e me radhë, deri tek ndalimi i pajisjes me çdo leje për aktivitete me karakter fitimprurës në Shqipëri”, tha Rama.
Po ashtu, me vënien nën sekuestro të pasurive të tyre të dyshimta, dhe nëse të dyshuarit nuk i faktojnë në gjykatë burimin e të ardhurave, jo vetëm do të vendoset konfiskimi i tyre, por do të rikthehet sërish në burg për pasuri të pajustifikuar dhe të vënë nga krimi.
“Shtëpia, makina e biznesi në sekuestro preventive nuk mund të shitet. Subjekti duhet të dalë para gjykatës dhe të dëshmojë që këto që ka i ka si pasojë e punës, nëse janë produkte të krimit ato konfiskohen. Kujt do t’i provohet që pasurinë e ka produkt të krimit do të rikthehet në burg për këtë pjesë. Mos harroni që anti-mafia italiane merr edhe pasuritë e të vdekurve”, – tha Rama.
Kryeministri Edi Rama foli me shifra dhe tregoi raste konkrete se si prokuroria dhe gjykatat kanë liruar dhe kanë shpallur të pafajshëm persona të arrestuar nga policia për vepra të rënda penale.
“Krimi i organizuar dhe korrupsioni: Prokuroria në 87 raste nuk ka vepruar fare ndaj personave të arrestuar nga policia si autorë veprash penale të rënda. Gjykata 30 raste pafajësie për persona të arrestuar. Gjykata 63 raste dënimesh të lehta për vepra penale të rënda. Gjykata 360 pafajësi për autorë dhe të akuzuar për vepra penale të rënda. Nuk luftohet krimi nga një dorë nga një palë, duhen tre palë, pushteti ekzekutiv, prokuroria dhe gjykata në pushtetin gjyqësor.
Vetëm para pak ditësh një nga eksponentët e krimit të organizuar ishte në sallën e gjyqit. Policia e shtetit dhe prokuroria dhe gjykata, kishin marrë në mbrojtje një familje të një të penduari, pra kishte një të penduar që kishte rënë dakord të bashkëpunonte me shtetin për procesin e këtij krimineli, dhe nuk është e lehtë, është një proces i gjatë, dhe gjithë familja ishte në mbrojtje, dhe shteti ishte angazhuar ta mbronte dhe i penduari të ishte në krahun e shtetit për ta çuar procesin deri në fund. Në seancën e parë, gjykatësi e liron në sallë kriminelin, hyn me pranga dhe del me duar në xhepa. Pak muaj më parë, rasti i autorit të vrasjes së 4 policëve. Pak javë më parë, rasti i tjetërsimit sy për sy, të 1 milionë e 500 mijë metra katrorë zonë bregdeti, pronë shteti e hipotekuar. A mund të japësh një pronë në gjykatë sikur ajo është e lirë”, tha Rama, i cili premtoi luftë pa kompromis ndaj KÇK.