Italia e Greqia dërgojnë skuadra speciale. Thaçi aktivizon FSK

AKTUALITET


Kryeministri Rama shkruan se liderët e Europës kanë njoftuar gatishmërinë e tyre për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë për të përballuar pasojat e tërmetit të fuqishëm që ka shkaktuar viktima.

Rama njofton se kryeministri italian Conte dhe ai grek Mitzotakis kanë nisur avionët me skuadra speciale, ndërsa presidenti i Kosovës ka aktivizuar skuadrat e FSK-së. Rama shkruan se edhe presidenti Macron dhe Erdogan kanë shprehur gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, sikurse edhe ambasadat e BE dhe SHBA.

“Të gjithë miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi. Kryeministri Conte e kryeministri Mitzotakis nisën avionët me skuadrat speciale. Presidenti Macron e Presidenti Erdogan më shprehën gatishmërinë për çdo nevojë. Ambasadat e BE/SHBA kanë njoftuar qysh herët gatishmërinë.

Qysh herët më ka telefonuar edhe Presidenti Thaçi, i cili ka aktivizuar skuadrat speciale të FSK drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja. Vazhdojnë kontaktet, ndërkohë që në terren po bëhet gjithçka e mundur në pikat ku kushtet janë më të rënda”, shkruan Rama

Ndërsa kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, thotë se pas bisedës telefonike që ka pasur me Metën, ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e popullit të Kosovës për të ofruar tërë ndihmën e nevojshme për të përballuar këtë situatë të rëndë në Shqipëri.



Skip to toolbar