Rolejti i vogël, i humbi nënës nga duart, nxirret i pajetë nga rrënojat

AKTUALITET


Natën e 26 nëntorit Ela Vata mori përdore të birin dhe doli jashtë banesës ku jetonte për t’i shpëtuar tërmetit, por i vogli Rolejt Vata vetëm 7 vjeç i humbi nënës nga duart dhe u fsheh në pallatin 6-katësh në Thumanë, pikërisht në momentet kur ai u shemb papritur.

Ai është nxjerrë në mesnatë nga gërmadhat dhe është gjetur në krahët e një vajze tjetër të vdekur, e cila e kishte shtrënguar fort.

Nëna e Rolejtit, Ela Vata shpëtoi dhe ndodhet e plagosur, ndërsa gjyshja e vetësakrifikua duke mbrojtur me trup nipin tjetër, Santijanon, që u gjet i gjallë në prehrin e gjyshes së pajetë.

E gjitha familja, Ela Vata, dy djemtë e saj dhe gjyshja kanë qenë në katin e katërt dhe sapo kanë ndjerë lëkundjet e para kanë mundur të zbresin deri në katin e parë. Por në këtë përpjekje për t’i shpëtuar tërmetit, kanë humbur nga sytë djalin 7-vjeçar i cili ka lëshuar dorën nga nëna e tij, Ela. Vëllai i Rolejtit u nxorr i gjallë në prehrin e gjyshes së pajetë. Ela Vata dhe djali i saj i shpëtuar po marrin ndihmë mjekësore. I ati i tij, Servet Vata punon në Greqi dhe është kthyer në atdhe pas tragjedisë që preku familjen e tij.

Pas dy netësh ekipet e kërkim-shpëtimit kanë ndërprerë kërkimet në Thumanë pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur, edhe pse të pa jetë.  Nga rrënojat në Thumanë janë nxjerrë gjithsej 22 trupa të pajetë ndërsa tani pritet shembja e pallateve gjysmakë që la pas tërmeti.



Skip to toolbar