Tre ditë pas tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit, numri i personave që kanë pësuar lëndime dhe që kanë marrë ndihmë mjekësore ka shkruar në 900. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës, në Tiranë janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar. Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveçse një qytetari që paraqitet në gjendje më të rënduar.
Sipas të dhënave nga ministria e Shëndetësisë, përveç qytetarëve që kanë marrë trajtim në spitale, janë rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që kanë marrë trajtim në qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti, që kanë qëndruar 24 orë të hapura.
Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.
Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë.
Ndërkohë të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.