U dëmtuan nga tërmeti, shemben 7 objekte në zonën e ish-Kënetës në Durrës

AKTUALITET


Në Durrës vijon puna për prishjen e objekteve të dëmtuara nga tërmeti, dhe që rrezikonin të shembeshin. Drejtuesi qendror i operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë natyrore në qarkun Durrës, Bledi Çuçi i shoqëruar nga administratori i OSHEE, Adrian Çela, inspektuan punën për prishjen e 7 objekteve të para në zonën e ish-Kënetës.

Këto objekte janë vlerësuar si të pabanueshme dhe me rrezik për jetën e qytetarëve. Prishja e këtyre objekteve nisi pas një vendimi të këshillit bashkiak të Durrësit. Ndërkohë, Ministrit Çuçi tha për mediat se ekspertët shqiptarë po asistohen nga inxhinierë të huaj, ndërsa shembjen e objekteve po e bën IKMT.

 “Kemi nisur prishjen e objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Këto janë 7 objektet e para që do prishen në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak të bashkisë së Durrësit. Veç ekspertëve dhe inxhinierëve tanë dhe grupit të IKMT-së, kemi dhe një grup inxhinierësh të huaj që po bëjnë të mundur që prishja të jetë në mënyrë sa më funksionale dhe të sjellë sa më pak dëme për ambientin që na rrethon”, tha ministri Çuçi.



Skip to toolbar