Këngëtarja e mirënjohur, Evi Reçi ka humbur familjen e xhaxhait dhe shoqen e ngushtë nga tërmeti i 26 nëntorit. Vetë këngëtarja ka shpërndarë një mesazh dhimbje në rrjetet sociale ku shkruan se zemrën e ka plagë nga kjo tragjedi.
“Të pranosh të papranueshmen. Më ndodhi dhe mua. I ndodh kujtdo. Sa e çuditshme! Në momente të vështira dhe të dhimbshme, të rikthehen në mendje kujtimet më të bukura…
Ashtu m’u kujtua dhe Kristi im, që kërcenim dhe këndonim bashkë, ashtu dhe Klausi që qante që se merrnim me vete se ishte i vogli e ne të “mëdhenjtë”, ashtu dhe Axha Edi që humori verior ishte në çdo fjalën e tij, ashtu dhe Dolora që dedikoi jetën për familjen e saj.
Po ashtu më rikthehu kujtimet dhe Diena, shoqja ime e fëmijërisë… dilnim, bënim thashetheme, ndanim sekretet. Siç ishte në fillim dhe ‘sekreti’ për dashurinë tende, për Dorin që më pas të pikturoi jetën me portretin e Esielës së vogël që t’u bë motivi i jetës.
Ishit të gjithë bashkë një pse e madhe, një boshllëk i madh, nga një tërmet i madh. Zemrën e kam plagë!
Një faleminderit për të gjithë ju që më keni shkruar dhe më keni qëndruar afër çdo moment me dashurinë dhe dashamirësinë tuaj. Zoti ju bekoftë”, shkruan këngëtarja Evi Reçi. Familja e xhaxhait të saj u shua e gjitha nën rrënojat e pallatit në Durrës, ashtu sikurse dhe shoqja e saj Diena që humbi jetën bashkë me vajzën e saj 8 vjeçare.