Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kanë treguar se mes tyre ka dallime dhe mospajtueshmëri në programin qeverisës. Kurti dhe Mustafa zhvilluan një takim të hënën, por nuk arritën të kishin një marrëveshje. Kreu i Vetëvendosjes, Kurti tha për mediat se do të vazhdojë të qëndrojë në kontakt me Mustafën, për të arritur deri në një marrëveshje të plotë.
“Kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim gjerë e gjatë, përfundon takimi I sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës që të vazhdojmë më tutje drejt marrëveshjes”, tha Kurti.
Ndërsa Mustafa tha se ishte një takim i vlefshëm për arritjen e një marrëveshje, por që ka ende pika që dy partitë kanë dallime dhe mospajtime.
“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesorë sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm qëndrueshëm katër vjeçar natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa I përket programit qeverisës, kemi edhe çështje të tjera që i kemi diskutuar sot për të cilat do të punojmë për të arritur përafrim, sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur të jua përafrojmë”, tha Mustafa.