Kryeministri Rama i cili ndodhet në Londër në samitin e NATO-s, ku do të kërkojë ndihma për Shqipërinë për përballimin e situatës pas tërmetit, ka publikuar mëngjesin e së mërkurës një video të aksionit për pastrimin e rrënojave.
Kryeministri ka vendosur afate duke bërë thirrje se rrënojat duhet të pastrohen përpara ndërrimit të viteve dhe madje, sipas tij, duhet të ndërtohen parqe të kujtesës së kësaj tragjedie.
“Viti i Ri s’duhet të gjejë asnjë rrënojë dhimbjeje të papastruar në Durrës e Thumanë dhe në vend të tyre, duhet të sjellë edhe disa parqe të kujtesës së kësaj tragjedie”, shkruan Rama në facebook.