Kryeministri grek kërkon negociatat për Shqipërinë: Macron bëri gabim…

AKTUALITET


Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotaqis u ka bërë thirrje vendeve të BE që t’i mbajnë dyert e hapura për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka kujtuar vitin 1979, kur është marrë vendimi për anëtarësimin e Greqisë dhe thotë se ndoshta edhe vendi i tij nuk ka qenë gati në atë kohë, por ama vendimi u mor për shkak të rëndësisë gjeostrategjike. Micotaqis ka thënë më tej, në një intervistë për “Financial Times”, se kryeministri i Francës, Macron, bëri gabim që bllokoi çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ai shprehu besimin se ky gabim do të korrigjohet vitin e ardhshëm.

Duke marrë shkas nga historia e anëtarësimit në BE të vendit të tij, Micotaqis i bëri apel Presidentit Macron të ndjekë gjurmët e paraardhësve të tij.

“Nëse shikojmë kontekstin e madh gjeopolitik, është shumë e qartë se rruga europiane duhet të mbahet e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që të plotësojnë kërkesat. Ky nuk është një proces automatik, përndryshe kjo zbrazëti do të mbushet. Shpresoj që ky gabim do të korrigjohet. Unë jam i shqetësuar. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se vendimi i marrë në Këshillin Evropian duhet të rishikohet në vitin 2020”, thekson kryeministri grek.

Macron vendosi veton në samitin e fundit të Këshillit të Europës, kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE, deri sa ky union të vetë reformohet dhe të ndryshojë rregullat e zgjerimit në të ardhmen. Sipas Macron është koha që BE të reformohet dhe të mos ketë më dështime siç është rasti i BREX-it, apo probleme të tjera të brendshme.



Skip to toolbar