Kokainë, ekstazi dhe pistoleta u janë sekuestruar disa të rinjve nga Policia e Shkodrës gjatë një operacioni të koduar “Buna”. Gjatë këtij operacioni, të realizuar nga forcat “Shqiponja” tre persona u arrestuan, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve me inicialet M. Sh, E. M, dhe E. V., 31 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi: B. Q., 23 vjeç banues në Shkodër.
“Në vendin e quajtur ‘Ura e Vjetër’ e Bunës, Forcat e Posaçme ‘Shqiponja’, kanë bërë bllokimin e mjetit tip ‘Volksëagen’, me të cilin udhëtonin këta shtetas dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, policia gjeti drogë të llojit kokainë, dy pilula të dyshuara ekstazi dhe një sasi e dyshuar si lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Operacioni vijoi me kontrollin e banesave të këtyre shtetasve, ku rezultoi se në banesën e shtetasit E. V., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri pistoletë, një sasi fishekësh dhe një krehër, ndërsa në banesën e shtetasit E. M., policia gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi tjetër lënde narkotike kanabis. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje armëve dhe i municionit”.