“8 Dhjetori”, Veliaj prezanton strategjinë për Rininë

AKTUALITET


Sot përkujtohet 8 dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, ku 29 vjet më parë protestat studentore përmbysën regjimin komunist.

Por këtë vit, 8 dhjetori e gjen Shqipërinë në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, ku 51 persona humbën jetën, rreth 900 të tjerë morën plagë të rënda dhe të lehta, ndërsa u dëmtuan mijëra banesa dhe apartamente.

Në këtë ditë, ndryshe nga vitet e tjera nuk janë parashikuar shumë aktivitete festive. Bashkia e Tiranës në këtë ditë ka vendosur të prezantojë strategjinë vendore për rininë 2019-2023, në bashkëpunim me Kongresin Rinor dhe me mbështetjen e Friedrich Erbert në kuadër të 8 Dhjetorit.

“Unë besoj se kombet që ngrihen shpejt janë kombe me të ardhme. Ne nuk jemi viktima, fakti që kanë qenë djemtë e vajzat e këtij qyteti, që edhe tani ndërsa flasim, ata po japin kontributin e tyre për të ndihmuar për pasojat e tërmetit, tregon se ne kemi të ardhme. Kam parë djem e vajza të rinj, që besoj se në këtë strategji duhet të përfshihen”, deklaroi Veliaj, i cili i cilësoi frymëzim të rinjtë në këtë ditë të shënuar. Po ashtu, ai ka apeluar te bizneset që të hapin vende pune për rininë si ndihmë për të kaluar panikun nga tërmeti. “Mënyra më e mirë për të larguar vëmendjen është rikthimi në rutinë. Duke u kthyer në rutinë, ne kemi më pak kohë të mendojmë për tërmetin. Sot takova një biznesmen që më tha se kisthe 1000 palë xhinse, por i thashë se ne nuk kemi nevojë për xhinse. Ne e kaluam emergjencën, prandaj i mbyllëm qendrat e hapura për emergjencën. Sot mbyllëm qendrën e fundit në palestrën e një shkolle, që njerëzit t’i kthehen rutinës, prandaj biznesmenëve të cilët, tashmë janë kthyer nga një fundjavë e gjatë, u bëj thirrje që të hapin sa më shumë vende pune për të rinjtë. Duke punuar, njerëzit kanë më pak kohë të mendojnë për tërmetin, por mendojnë për punën, për familjen dhe shoqërinë”, tha Veliaj.

Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare kur më 8 dhjetor një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Dita Kombëtare e Rinisë, u caktua si e tillë nga Kuvendi i Shqipërisë më 8 dhjetor të vitit 2009, për të kujtuar lëvizjen e studentëve në dhjetorit e vitin 1990, e cila ishte pikënisja e rrëzimit të regjimit komunist. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Akti i tyre i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.



Skip to toolbar