U dëmtua nga tërmeti, rihapet Kalaja e Krujës

AKTUALITET


Pas dëmeve nga tërmeti i 26 Nëntorit, Kruja ka rihapur dyer e Kalasë dhe Muzeumeve, atij Kombëtar dhe atij Etnografik. Pas verifikimit nga ekspertët zviceranë dyert e tyre janë hapur për të pritur sërish vizitorët.

Pak ditë pas tërmetit, Kalasë së Krujës iu vu shiriti i sigurisë dhe u evakuuan bizneset dhe katër familje në zonën e rrezikut. Kulla e Kalasë së Krujës ose siç quhet ndryshe Kulla e Sahatit është ndërtuar në shekullin e 12, ku shërbente si kullë vrojtimi. Ndër shekuj Kulla ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e tërmeteve.

Pjesa e sipërme e saj i është nënshtruar një rikonstruksioni në shekullin e 17 pasi u shemb si pasojë e një tërmeti. Gjithashtu kjo kullë iu nënshtrua një rikonstruksioni tjetër në vitin 1981 kur u dëmtua nga tërmeti apokaliptik që shkaktoi dëme të pallogaritshme kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës, në 1979. Madje në një nga filmat shqiptar të kohës së monizmit, “Gjurmë në kaltërsi” në një fragment shihet Kalaja e Krujës dhe kulla duket e përgjysmuar.

Por Kalaja e Krujës nuk ishte e vetmja që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit. Edhe Kulla e Sahatit në Kalanë e Prezës, pati dëmtime të konsiderueshme. Fillimisht u dëmtua nga tërmeti i 21 shtatorit. Por megjithëse Instituti i Monumenteve ka bërë disa ndërhyrje përforcuese, sërish muret dhe kulla e kësaj kalaje gati 500-vjeçare janë dëmtuar. Kulla e Kalasë së Petrelës në Tiranë, e cila daton në shekullin e VI, gjithashtu është një tjetër vlerë historike e kulturore, e cila mbeti e dëmtuar nga tërmeti i tmerrshëm që tronditi vendin tonë. Edhe Kalaja e qytetit të Durrësit, e periudhës bizantine, është dëmtuar në një prej kullave të saj, në një pjesë të murit që ngrihet në mbi 8 metra lartësi.



Skip to toolbar