Ditën e hënë (sot) nis mësimi në qytetin e Tiranës, Durrësit, Vorës e Kurbinit, i ndërprerë që prej datës 26 nëntor, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar. Ditën e sotme nxënësit në këto qytete kthehen në bankat e shkollës pas një ndërprerje prej dy javësh, ndërsa në qytetet e tjera, që u prekën më pak nga tërmeti mësimi ka nisur më herët.
Nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter u dëmtuan rëndë 30 shkolla, të cilat kanë dalë jashtë funksionit, ndërkohë që 15 mijë nxënës të këtyre institucioneve do u mundësohet transferimi nëpër vende të tjera.
Ndërkohë, në disa shkolla të tjera pati dëmtime të lehta.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni me anë të një urdhri të brendshëm njoftoi se procesi mësimor do të fillojë në datë 10 dhjetor. Ai shpjegoi, se vendimi është marrë pas informacionit nga administrata e universitetit të Tiranës, mbi sigurinë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor. Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Politeknikut kanë shtyrë procesin mësimor edhe për javën e ardhshme. Sipas njoftimeve zyrtare të të dy universiteteve procesi mësimor është pezulluar deri më datën 13 dhjetor. Përsa i përket universiteteve, ministrja Shahini u shpreh se ato janë autonome dhe se kanë bërë verifikimet e tyre.
Ndërsa për sa i përket Universitetit të Durrësit, ku ky qytet ishte një nga më të prekurit, mësimi do të rifillojë ditën e sotme. Në fillim të procesit mësimor do të mbahet edhe një konferencë në nder të 51 viktimave që shkaktoi tërmeti i 26-nëntorit, 24 prej të cilëve humbën jetën nën gërmadhat e godinave të shembura në Durrës.
Ndërkohë në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk janë pjesë e zonës ku u shpall gjendjen e jashtëzakonshme, mësimi ka rifilluar normalisht me 2 dhjetor. Tërmeti i 26 nëntorit mori 51 jetë njerëzish dhe la pas qindra të plagosur si dhe shumë banesa të shkatërruara.