Kreu i shtetit Ilir Meta, një ditë pas tubimin të planifikuar me rininë, që e shtyu e për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ka kthyer mbrapsht ligjin për Rininë, duke tentuar kështu të fitojë simpatinë e të rinjve, por edhe të rifillojë luftën politike me mazhorancën.
Duke e cilësuar këtë ligj antikushtetues, pasi sipas tij, mazhoranca tenton të kontrollojë politikisht grupimet rinore, në argumentet e tij, Meta dërgon më së shumti mesazhe politike për rininë, sesa argumente ligjore, duke të lënë të mendosh se kthimi mbrapsht i këtij ligji ishte parapërgatitur me qëllim që të përdorej politikisht edhe në tubimin e 8 dhjetorit, që u anulua për shkak të gjendjes së krijuar nga tërmeti.
“Ky ligj bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe fryma e këtij ligji nuk përputhet me interesat reale të të rinjve shqiptarë; për rrjedhojë, ky ligj nuk është në harmoni me interesin publik e kombëtar. Çështja thelbësore në ndërmarrjen e një nisme të tillë dhe më pas, zyrtarizimin e saj është identifikimi real dhe trajtimi thelbësor dhe jo sipërfaqësor i problematikave të tilla, si: mungesa e vizionit për jetën, mospërshtatja e sistemit arsimor me tregun e punës apo mungesa e informacionit rreth këtij tregu, mungesa e argëtimit, papunësia, paragjykimi dhe diskriminimi ndërmjet të rinjve, mospjesëmarrja në proceset dhe vendimmarrjet demokratike, apo çështje të tjera sociale të hasura në praktikë dhe realitetin shqiptar”, shprehet Meta.
Pasi përmend një sërë problematikash për rininë, kreu i shtetit argumenton dhe dy pika, të ligjit, për të cilat mendon se mund të krijojnë varësi politike. Sipas Presidentit, Nenet 9 dhe 10 të ligjit, ku flitet se këshilli kombëtar i rinisë emërohet nga ministri dhe këshilli vendor emërohet nga kryebashkiaku, bien ndesh me parimet kushtetuese dhe krijojnë mundësinë e një varësie politike të drejtpërdrejtë të organizatave rinore, çka rrjedhimisht do të përbënte shtrembërim të vullnetit të të rinjve shqiptarë dhe cenim të vetë demokracisë. “Kjo mënyre organizimi dhe përfaqësimi të vullnetit rinor, sipas dispozitave të mësipërme, duket se tenton vendosjen nën kontroll politik të gjithë organizimit dhe jetës rinore në vend, gjë e cila do të ishte rezultati më i rëndë i shkeljes të të drejtave dhe lirisë së shprehjes të pjesës më jetësore të shoqërisë dhe cenim të demokracisë në vendin tonë”, shprehet Meta.
Por, ky ligj në fakt është kryer në bashkëpunim me OJF-të dhe organizatat e rinisë, ku mendimi i tyre është shprehur edhe në ligj. Megjithatë, për kreun e shtetit, ngritja e këtyre shqetësimeve nga ana e organizatave është sipërfaqësor në ligj, kështu që ai ka vendosur ta kthejë mbrapsht këtë ligj. /Realstory.al/