Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të martën të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, i cili aktualisht është edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa më herët ka drejtuar gjykatën e Tiranës.
Procesi i vetingut për Islamajn u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.
Komisioni i vettingut vlerësoi se gjyqtari Islamaj nuk justifikon pasurinë. Seanca dëgjimore me gjyqtarin Islamaj ka zgjatur shumë orë përgjatë të cilëve KPK vlerësoi se gjyqtari jo vetëm kishte bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, kishte mungesë burimesh të ligjshme dhe kishte bërë deklarim të rremë. Hetimi i KPK-së për Fatri Islamajn është fokusuar tek blerja e një apartamenti me sipërfaqe 144.5 m2 në Tiranë si dhe transaksionet me disa makina, të cilat u konsideruan me probleme.
KPK gjithashtu vërejti mospërputhje të dokumentacionit edhe në lidhje me një autoveturë tip “Toyota” të blerë në vitin 2017 në vlerën 250 mijë lekë si dhe mungesën e dokumentacionit për blerjen dhe shitjen e një autoveture të markës “Cadillac” në vitin 2006.
Komisioni evidentoi mosdeklarimin e vlerës 700 mijë lekë të përdorur për blerjen e automjetit “Benz”, mospasqyrimin e një depozite prej 500 mijë lekësh si dhe mosdeklarim në vitin 2012 të një depozite prej 3 mijë eurosh. Ndërsa në vitin 2013 nuk është deklaruar edhe një depozitë në vlerën 400 mijë lekë në emër të bashkëshortes.
Në vlerësimin e kriterit profesional, Komisioni evidentoi dy raste të mundshme të konfliktit të interesit.
Lidhur me Pastërinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtarit Islamaj për vazhdimin e detyrës. Ndwrsa komisioni evidentoi se gjyqtarit Islamaj i është refuzuar një vizë nga Ambasada Amerikane. Islamaj shpjegoi se arsyeja e refuzimit të vizës turisitike kishte qenë se ata ishin në proces bashkimi familjar, pasi vjehrri dhe vjehrra e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005.
Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate. Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.