Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin e mirë se qeveria po punon për të lidhur një marrëveshje me një kompani turke që të ndërtojë shtëpi ekologji dhe antisizmike që kanë kosto të ulët dhe përveç ndërtimit të shtëpive kjo kompani të ndërtojë edhe disa qendra shëndetësore. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një inspektimi që kreu në ambientet e QSUT-së ku pa nga afër pasojat e tërmetit.
“Ne do të bëjmë një negocim dhe besoj se do ia dalim, me një kompani të madhe turke që është e certifikuar ndërkombëtarisht. Punon me tregun deri në Amerikë. Do bëjmë një super marrëveshje për shtëpitë, antisizmike, ekologjike, kundër zjarrit. Dhe i thash që ta na japim një ofertë dhe për qendrat shëndetësore, pasi kanë kosto shumë të ulët dhe janë super. Mund të bëjmë më shumë. Po bëjmë një punë me ta, që do na japë shumë sukses”, tha Rama.
Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u njoh me situatën e krijuar pas tërmetit në spitale. Manastirliu tha se përveç Kardiologjisë, dëme ka pasur dhe në repartin e djegieve plastike, si dhe në një kat të Pediatrisë.