Prokurori Arben Kraja ka shpallur kandidaturën për postin e kryetarit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas KLP-së, dita e sotme shënon afatin e fundit për të paraqitur kërkesë për këtë post dhe prokurori Kraja ka shprehur interesin për ketë pozicion duke e shoqëruar atë me vizionin për ndërtimin e SPAK.
Arben Kraja ka kaluar me sukses procesin e vettingut duke dalë i pastër në të treja kriteret, dhe duke u konfirmuar si anëtar i SPAK.
Ndërsa për kriterin e aftësive profesionale, ai është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme.
KLP do të presë kandidaturat e tjera, nëse do të ketë për postin e kryetarit të SPAK. Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të miratojë metodologjinë për përcaktimin e kandidatit fitues, ku prokurorët garues do t’i nënshtrohen një seance publike dëgjimore ku do të paraqesin edhe platformën e tyre.
Një nga prioritetet që ka drejtuesi i SPAK, me marrjen e detyrës, pritet që të zgjedhë edhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e cila do të jetë e varur nga SPAK-u, në hetimin e dosjeve të bujshme, e kryesisht ato që kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.