Pas tërmetit të 26 nëntorit kanë qenë të shumtë vullnetarët dhe të rinjtë që janë përgjigjur për të ndihmuar qytetarët e prekur. Ato presin qytetarët në sportelet e Bashkisë, duke i ndihmuar me plotësimin e dokumentacionit për strehim, dorëzimin e akt-konstatimeve, dhënien e informacionit mbi bonusin e qirasë, përgjigjen e emergjencave në linjë telefonike si dhe në shpërndarjen, kategorizimin dhe paketimin e ndihmave. Ky solidarizim dhe ndihmë e jashtëzakonshme e ardhur nga të rinjtë ka bërë që ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi të zhvillojë një takim me ta në Durrës.
“Ndihemi krenarë për këta të rinj që nuk kanë kursyer aspak kohë nga koha e tyre që ditët e para të tërmetit. Ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për të përballuar situatën e rëndë. Besoj se pa ndihmën e tyre nuk do ishim në këtë situatë kontrolli të gjendjes”, tha ministri Çuçi.
Që prej datës 4 dhjetor mbi 100 të rinj e të reja janë vendosur pranë shtabit të emergjencave në Durrës për të asistuar administratën dhe ekspertët e huaj në fluksin e madh të qytetarëve të prekur nga tërmeti që kërkonin ndihmë.