Tërmeti i mesnatës vë në rrezik një tjetër pallat në Tiranë, ndërhyjnë zjarrfikësit

AKTUALITET


Pasgoditja e mesnatës me magnitudë 4 të shkallës Rihter (disa agjenci raportojnë 4.5) ka vënë në rrezik një tjetër pallat në zonën e Kombinatit në Tiranë, duke sjellë kështu reagimin e zjarrfikësve, të cilët kanë ndërhyrë për të hequr një strukturë të rrezikshme, e cila mund të shkëputej dhe të dëmtonte njerëzit poshtë pallatit, ashtu siç ndodhi me 20-vjeçaren Xhesika Biqiku, e cila duke u larguar nga tërmeti u godit nga disa tulla që u shkëputën nga një ballkon i pallatit.

Pikërisht pranë këtij pallati ku humbi jetën 20-vjeçarja, në rrezik shembjeje janë edhe parapetet e disa pallateve të tjerë ngjitur. Banorët kanë njoftuar emergjencat dhe menjëherë forcat zjarrfikëse në Kombinat kanë ndërhyrë për largimin e një strukture të rrezikshme në lartësinë e një pallati që mund të sillte një tjetër tragjedi në këtë zonë.

Efektivë të Policisë Bashkiake  kanë vendosur perimetrin e sigurisë për banorët, ndërkohë që Shefi i Zjarrfikëseve të Kombinatit Luan Shehu ka drejtuar operacionin për  heqjen e parapeteve që përbëjnë rrezik. Në katin e pestë efektivë të zjarrfikëseve ndërhynë për të hequr tullat e lëvizshme dhe parapetet që përbëjnë rrezik për jetën e banorëve.

Për më shumë se 30 minuta punonjës të shërbimit zjarrfikës punuan për të larguar pjesët e rrezikshme, ndërkohë që do të jenë ekspertët, ata të cilët do të vendosin për mënyrën e ndërhyrjes në objekt.

Parapetet e kateve të sipërme, për shkak të amortizimit, por edhe peshave të shtuara të depozitave janë kthyer në një rrezik të shtuar për banorët që jetojnë në këtë zonë. Shërbimet e zjarrfikëseve janë duke punuar për largimin e pjesëve të dëmtuara por banorët ende janë në pritje të një ndërhyrjeje më të specializuar që të ofroj siguri për jetën e tyre.

Tërmeti i mesnatës ngjalli frikë te shumë banorë, të cilët dolën jashtë banesave të tyre. Sizmologu Llambro Duni qetëson shqiptarët që ende vijojnë të dridhen edhe në kushte normale të frikësuar nga lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit që pas 26 nëntorit. Në një lidhje telefonike për News24, duke iu referuar disa lëkundjeve që janë regjistruar përgjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës, më e forta me magnitudë 4, sipas IGJEUM, tha se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se është një trend normal. Duni këshilloi që qytetarët t’i referohen të dhënave të publikuara nga Instituti i Gjeoshkencave Ujit dhe Mjedisit, pasi në rastin e lëkundjes më të fortë gjatë natës ka të dhëna kontradiktore nga IGJEUM dhe EMSC. “Ky tërmet ka pasur madhësinë 4 sipas nesh, 4.5 është sipas një tipi tjetër magnitude. Numri i këtyre pasgoditjeve vazhdon dhe kjo mund të vazhdojë për një farë kohe. Është e vështirë të them kohën por mund të kërkojë 1, 2, por dhe 3 muaj”, deklaroi Duni.



Skip to toolbar