Familja e Alesio Cakonit, 10-vjeçarit që humbi motrën dhe babanë nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë, tashmë bashkë me nënën e mbijetuar dhe gjyshen kanë një shtëpi të re. Ata janë sistemuar në një apartament të ri, i cili ndodhet në Bashkinë e Kamzës, ndërsa mbrëmjen e së dielës vizitën e parë në shtëpinë e re ua ka bërë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Rakip Suli.
Shpërblimin që kryeministri pret nga i vogli Alesio, është që të jetë nxënës me dhjeta, ndërsa bëri të ditur se 10-vjeçarit së bashku me Aurel Lalën që humbi gjyshen dhe motrën nga tërmeti, u ka vendosur bursë mujore për të mbuluar shpenzimet e shkollës.
“Unë kam kënaqësi të madhe për këtë punë. Më jep fjalën që do të mësosh mirë. Të gjitha dhjeta. I kemi lidhur bursë mujore për shkollën. 150 mijë lekë në muaj për libra, për sport, për rrobat. Po morët nota të mira vijnë edhe të tjerat, me nota të këqija nuk i duheni asnjë njeriu. Të kënaqni të gjithë kë keni rrotull. Mamit do ia shpërblesh me nota të mira, edhe gjyshes. T’ju njohë bota për atë që jeni ju, jo prej Ronaldos”, tha Rama.
Të dy djemtë heronj që i shpëtuan tërmetit duke u hedhur nga kati i pestë Cakoni dhe nga kati i tretë (Lala), kryeministri i mori në Romë ku i plotësoi dëshirën duke i takuar me Cristiano Ronaldon dhe portierin e Juventusit, Gianluigi Buffon. Aureli në dhomën e tij kishte të pikturuar në mur Ronaldon, ndërsa edhe Alesio në shtëpinë e re dhoma e gjumit kishte në mur të preferuarin e tij, portierin e Milanit Gianluigi Buffon, i cili i kishte dhuruar më parë bluzën me mbishkrimin: “I dashur Alesio, të jam shumë pranë, të përqafoj shumë fort. Forca Milan”.
Rama la të kuptohet se djemve, të cilët siç ishin në Thumanë bashkë, tashmë janë fqinj në Kamzë, ndoshta do t’u bëjë një surprizë edhe për vitin e ri. Por nuk dha shumë detaje.
“Për vit të ri si e keni planin? Do ta gjejmë ndonjë gjë për vit të ri. Ndonjë kërkesë për Babagjyshin keni? Shkruaj një herë s’i dihet, çoje me postë te bashkia. Drejtuar Babagjyshit të Vitit të Ri, Bashkia Kamëz”, tha Rama.
Gjyshja e Alesio Cakonit e ka të vështirë të jetojë me dhimbjen e madhe nga humbja e djalit dhe mbesës, por edhe të fqinjëve në pallatin në Thumanë, ku vitet e shumta bashkë, i kishin kthyer në njerëz të afërt për ta. Ajo thotë se forcën për të jetuar e gjen tek nipi, dhe nusja e djalit. Në një bisedë me kryeministrin Edi Rama, ajo thotë se plagën më të rëndë nga ky tërmet e pësoi Albert Cara i cili humbi gjithë familjen e tij, dhe shprehet se vështirë të ketë njeri të gjejë guximin t’i thotë se gruan e fëmijët nuk i ka më gjallë. Megjithatë, kreu i qeverisë zbulon një detaj të trishtë, teksa e përcolli për në avion Albert Carën. Ai mendon se mund të ketë humbur vetëm njërin nga fëmijët, të cilin e kishte me vete në momentin e lëkundjes së fortë të tërmetit, por i ka ndjerë dorën e ftohtë! Largimin nga shtëpia Rama e bëri me premtimin se nesër në shkollë do të jetë ai që do t’i çojë Alesion dhe Aurelin në shkollë.