Kryemadhi: Rama po i ikën zgjedhjeve të parakohshme

AKTUALITET


Monika Kryemadhi akuzon kryeministrin Rama se përmes kërkesës për të shtyrë deri në mars gjendjen e jashtëzakonshme, synon që të bllokojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Në fjalën e mbajtur në tryezën e organizuar nga PD për lirinë e medias, Kryemadhi tha se Rama po kërkon kohë për të instaluar sistemin autokrat dhe t’i largohet sa më shumë zgjidhjes së krizës në vend.

“Sot kemi një kryeministër që po kërkon shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Parlament deri në muajin mars, i cili ka të bëjë për sa i përket largimit të zgjidhjes politike që ka sot Shqipëria, që mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe kërkon një spostim të tillë për të fituar kohë dhe për të vazhduar në instalimin e atij sistemi autokrat që e kanë shumë vende të tjera, duke kërkuar të bëjë një kopje të shëmtuar”, u shpreh Kryemadhi.

Përmes një kërkese depozituar në Kuvend, qeveria kërkon që gjendja e jashtëzakonshme të shtyhet deri më 31 mars pasi kjo i jep mundësi asaj që midis të tjerave të kërkojë asistencë dhe ndihma organizmave ndërkombëtare dhe shteteve të tjera si dhe të kontrollojë bashkitë dhe subjektet private në përmbushjen e një sërë detyrimeve. Por sipas, Kryemadhit kjo është vetëm një përpjekje e re e Ramës për të mos çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.



Skip to toolbar