Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari kërkoi që maxhoranca dhe kryeministri ta tërheqin paketën për anti-shpifjen duke thënë se ky ligj e kthen vendin në putinizëm dhe erdoganizëm, pasi cënon lirin e shprehjes në vend. Në përgjigje të saj Rama, përdori shprehje nga Kurani duke thënë se edhe libri i Shenjtë ka dispozita më të forta që dënojnë shpifjen sesa paketa që propozon qeveria.
“Zoti kryeministër, paketa anti-shpifje e çon vendin drejt një putinizmi, erdoganizmi, që i kthen supet Evropës. Prandaj, ju kërkoj të tërhiqeni, sepse nuk duhet të jetë politika ajo që të kontrollojë mediat sot, në asnjë mënyrë. Ne po kalojmë një proces shumë rigoroz, siç është Reforma në drejtësi dhe duhet ta ruajmë këtë reformë, si të vetmen shpresë për shqiptarët.
Zoti kryeministër keni akoma kohë të tërhiqeni nga kjo paketë, ta rishikoni edhe njëherë. Vërtet ka ankesa të ndryshme për mënyrën si funksion media sot, kush i financon këto media online, janë disa çështje të nxehta, siç ju i përmendët, si terrorizmi, etj., por nuk është ky ligji. E tha dhe kryeministri, që ju nuk dini të lexoni, as BE, as OSBE, asnjë nuk di të lexojë, vetëm ju dini të lexoni. Ju me këtë ligj cenoni të drejtat e individëve.
Është një paketë e kundërshtuar fort nga ndërkombëtarët. Kjo paketë sot nuk mund të miratohet, sepse ju e dini mirë që Shqipëria po merr kryesimin e OSBE. Si do jeni ju si shtet një vlerë e shtuar? Ata ju kritikojnë për këtë paketë. Ju pretendoni se keni një vit që komunikoni, ndërkohë që ata ju kanë shtyrë për të mos e kaluar këtë paketë. E dini shumë mirë çfarë kritikash keni marrë për këtë.
Shqipëria ka 30 vite që mundohet të ecë përpara dhe janë shënuar disa arritje, por jo për meritë të qeverisë suaj. Kryesimi i OSBE do ishte arritje, pas asaj të anëtarësimit në NATO. Unë nuk po them z. kryeministër që nuk kemi nevojë për reformim, jam dakord absolutisht me ju që mediat kanë kaluar çdo limit, por AMA është e kontrolluar nga politika.
Edhe në kushtet kur ju thoni se unë jam një nga ato viktima, prapë mendoj se njerëzit kanë të drejtat e tyre, edhe krimineli ka të drejta. Ndaj unë do të mbroj Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut”, theksoi ajo.
Rama tha se Hajdari nuk e ka lexuar ligjin dhe se flet pa pasur njohurinë e duhur, njëlloj si protestuesit jashtë Kuvendit, ndërsa citoi një thënie nga Kurani.
“Ju jeni e freskët nuk ka ardhur koha juaj por nuk mendoj që është mënyra për politikë të re duke mos lexuar ligjin për të cilin do të flasësh. Sepse nuk e ke haberin fare të ligjit që ne sot do të miratojmë. Nuk tërhiqemi urgjenca siç na thatë. Kurani i Shenjtë e quan shpifjen aksion çnjerëzor. Shpifësit i quan mishngrënës njerëzish që kërkojnë të vdekur. Kështu thotë Kurani i shenjtë. Të ngrihesh ti tashti e të më tregosh putinizmin. S’ke haberin fare se ça flet. Është një ligj limonatë. Në Gjermani të marrin shpirtin nëse guxon të shpifësh dhe s’di të japësh llogari është e tepërt”, tha Rama, i cili theksoi se ligji është i dakordësuar 100% nga OSBE.
Në replikë Hajdari i kërkoi 1 javë kohë që parlamenti dhe opozita parlamentare të bëjë ndryshimet e duhura.
Rama tha se parlamenti do ta miratojë projektligjin para Vitit të Ri por tha se ligji do të hyjë në fuqi pas vitit të ri, sepse Ilir Meta nuk do ta dekretojë atë.