Kuvendi miraton “anti-shpifjen”: Nuk mbyllet portali, por bllokohet lajmi

POLITIKË


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar paketën me dy projektligjet për median, pavarësisht kundërshtive të medias dhe të opozitës. Me 87 vota pro, 10 kundër, 3 abstenim, dhe 5 që nuk votuan, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin për AKEP. Ndërsa ndryshimet në ligjin e AMA janë miratuar me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim me disa amendime të bëra 24 orë para seancës nga kryetari i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla. Amendimet e kreut të grupit të PS kishin të bënin me disa nga shqetësimet e ngritura nga gazetarët, ku një prej tyre ishte mos mbyllja e portalit, por vetëm bllokimi i informacionit, i cili kapet në shkelje.

Me miratimin e dy projektligjeve për median, parlamenti vendosi kontrollin e mediave online, ashtu siç kontrollohen edhe mediat audio-vizive. Me dhjetëra gazetarë këtë të mërkurë u ngritën në protestë para Kuvendit për të kërkuar tërheqjen e qeverisë nga paketa anti-shpifje. Brenda Kuvendit, kryeministri Edi Rama në një fjalë të gjatë në mbrojtje të këtij drafti që ka 1 vit që është hartuar, edhe pse diskutimet e rralla nuk kanë qenë të frytshme, me ironi i quajti gazetarë heronj, teksa në të vërtetë i etiketoi ata si shkelës së të drejtave të qytetarëve. Kreu i qeverisë nuk u ndal konkretisht në shqetësimin më të madh të komunitetit të gazetarëve dhe instancave ndërkombëtare, që është kthimi i AMA-s, një organizëm i kushtëzuar nga shumica në pushtet, në gjykatë të gazetarëve.

Por shpifja nuk ishte shqetësimi i parë i gazetarëve. Ky ligj do i jepte të drejtën AMA-s që me gjykimin e vetëm këtij institucioni, të urdhërojë AKEP-in të mbyllë një portal, pa pasur nevojë për një vendim gjykate. “Nëse brenda 60 minutave nga urdhri, një portal refuzon të heqë një përmbajtje që i përkasin tre argumenteve: pornografi me fëmijë, nxitje e terrorizmit dhe kërcënim ndaj sigurisë kombëtar, portali mbyllet”, thuhej në draft, por me amendimin e kreut të grupit të PS, u vendos që mos të mbyllet portali, por të bllokohet vetëm përmbajtja me shkelje si dhe të aktivizohet po-up për të njoftuar mbi vendimin e marrë nga AMA.

Gjithashtu, ligjit iu bënë dhe disa ndryshime të tjera, sa i përket vendimeve të Këshillit të Ankesave, të cilat nuk do të jenë përfundimtare, pa u miratuar edhe nga bordi i AMA. Gjithashtu u bënë saktësime se ku duhet të drejtohet një subjekt, i cili është objekt i vendimeve të AMA, pasi më parë ishte lënë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa u vendos që ankesa të bëhet në Gjykatën Administrative të Tiranës, e cila do të vendosë nëse bllokimi do të mbahet gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, apo do të hiqet deri në dhënien e vendimit përfundimtar.

Masat e gjobave kanë qenë gjithashtu një ndër pikat më të debatuara gjatë hartimit të projektligjeve, dëgjesave publike dhe diskutimeve në komisionet parlamentare. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare i konsideruan ato joproporcionale dhe ‘falimentuese’ për median online.

Si shumë parashikime të tjera ligjore, edhe masat e gjobave ndryshuan shpesh gjatë procedurave për miratimin e dy projektligjeve. Nga krahasimi i variantit përfundimtar të miratuar në Komisionin e Medias mbrëmjen e së martës dhe variantit të publikuar nga kryeministri Rama në Twitter, gjobat janë ashpërsuar sërish.

Dy relatorët Milva Ikonomi dhe Musa Ulqini propozuan në komision lehtësimin e gjobave për shkeljet e sanksionuara në nenin 33/1 nga 1 milion që ishte tavani i sipërm në 400 mijë lekë për mediat online, në respekt siç thanë ata të shqetësimeve të ngritura para tyre. Propozimit iu bashkua dhe Mirela Kumbaro dhe deputetët i miratuan në Komision.

Në draftin e publikuar në Twitter nga Rama, gjoba maksimale për portalet është rritur sërish në 600 mijë lekë si kufi maksimal, i njëjtë me amendimin që propozoi Balla dhe u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë. Kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave, gjoba për portalet do të jetë nga 40 mijë në 800 mijë lekë. Megjithatë, mediat online mund të ekspozohen nga penalizime disafish më të larta deri në 2 milionë lekë nëse ato refuzojnë të zbatojnë vendimet e bordit të AMA-s për të drejtën e përgjigjes dhe korrigjimin.



Skip to toolbar