Analisti Eduard Zaloshnja, pjesë e panelit të diskutimit në emisionin ‘Real Story’ për paketën ‘Anti-shpifje’ ka ndarë me të pranishmit në studio një histori të tij personale, ku rrëfeu sesi e ka provuar në kurriz shpifjen ndaj tij dhe sesi e ka përjetuar.
Zaloshnja tha se kur ka shkuar artikullin e tij shumë vite më parë në një gazetë, ai u akuzua se ishte spiun dhe se bashkëpunonte me sigurimin. “Në gazetën e parë që unë kam shkruar artikullin tim të parë, më nxorën spiun. Papritur s’i pëlqeu një sondazh i imi. Por nga familja që vij unë, ishte tragjedi. Kemi 100 vite burg. Babai im 8 vite burg në burgun e Burrelit, tezja ime i ishte thyer hunda, daja ishte arratisur. Të më akuzonte mua gazeta…se nuk i pëlqeu sondazhi im që doli barazim. Të majtët më akuzuan; të ka blerë Berisha”, tha Zaloshnja.
Analisti tregoi se për të ishte një goditje e madhe, pasi ishte një familje e përndjekur politikisht, ndërsa shtoi se për 6 muaj me radhë nuk mund të dilte dot nga shtëpia, deri sa mori një vërtetim që hidhte poshtë akuzat. “Vet ma di shpirti se mu desh 6 muaj, nuk dilja dot të pija kafe jashtë. Kisha marrë vulën që kisha qenë spiun në sigurimin e shtetit. Mora një vërtetim që; ‘nuk kisha bashkëpunuar me askënd’. Këtu ishte një shpifje puro personale që dëmtoi një njeri. Po të isha në Britani, instrumenti do të ishte që gazetës do t’i thosha; provo nëse kam qenë spiun i sigurimit. Unë nuk dua t’ia di për ato lekë. Dua mekanizmat që e bllokon shpifjen pa dalë në burim. Pse legjislacioni anglo-sanksion e bën kaq të vështirë që ti të shpifësh.”, tha Eduard Zaloshnja.