Programi i Rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit ka kaluar me një akt normativ me procedurë të përshpejtuar në Komisionet Parlamentare dhe në Parlament. Në program janë përcaktuar të gjitha kategoritë e familjeve që përfitojnë si nga kompensimi i dëmeve, por edhe për ndërtimin e banesave, por edhe atyre që nuk do të përfitojnë nga ky program. Objekti i planit të rindërtimit është të rregullojë funksionimin e organeve përgjegjëse për rehabilitimin dhe rindërtimin e komuniteteve dhe të territoreve të prekura nga fatkeqësitë natyrore ose fatkeqësi të tjera, si dhe zhvillimin e territoreve të reja, duke përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, programet e procesit të rindërtimit, funksionimin e fondit të rindërtimit dhe procedurat përkatëse.
Ky akt normativ ka për qëllim përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të të gjitha institucioneve të mbrojtjes civile dhe të autoriteteve të tjera shtetërore. Sipas aktit normativ, të gjitha ato banesa të shpallura të pabanueshme nga akt-konstatimet apo akt-vlerësimet paraprake, do t’i nënshtrohen akt-ekspertizës së thelluar. Ekspertiza jep një konkluzion të qartë mbi gjendjen strukturore, nëse objekti mund të riparohet apo struktura e tij është dëmtuar në atë masë që dikton prishjen e detyruar të objektit.
Në subjektet përfituese të planit të rindërtimit përfshihen individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe kanë pësuar dëme në banesat e tyre e kanë mbetur të pastrehë; Tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilët si pasojë e fatkeqësisë natyrore u është prishur vendi i ushtrimit të aktivitetit. Do të përfitojnë kompensim për dëmet të gjitha ato familje, banesa e të cilëve është shpallur e banueshme, por që u është dëmtuar nga tërmeti. Po ashtu kompensohen për dëmet edhe ata persona, banesa e të cilëve nuk ndodhet në territorin ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, në momentin kur vërtetohet se dëmet janë pasojë e tërmetit.
Ndërkohë është parashikuar të mos përfitojnë ata subjekte që kanë në pronësi më shumë se një banesë, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar ka qenë vendbanim i zakonshëm. Ata do të përfitojnë vetëm në rast se të gjitha banesat në pronësi u janë dëmtuar. Nuk janë përfitues firmat e ndërtimit për ato objekte, që janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur dëmi ka ardhur si rrjedhojë e gabimeve në projektimin apo ndërtimin e ndërtesës kryer prej vetë subjektit ndërtues, që është njëkohësisht dhe pronar i objektit, përveç rastit kur zbatohet zhvillimi i detyruar vendor sipas parashikimeve të këtij akti.
Në Program janë përfshirë edhe familjet që kanë banesa të palegalizuara. Është vendosur që ndërtimet pa leje në zonat e reja për zhvillim ose në zonat e planifikuara për ndërtim sipas këtij akti, të përjashtohen nga procedurat e legalizimit dhe subjektet poseduese të ndërtimeve pa leje. Por ato do të përfitojnë pronësinë mbi truallin, kur aty është miratuar leja e zhvillimit.
Qeveria po ashtu ka vendosur t’u japë të drejtën qytetarëve të banesave të shembura të ndërtojnë vetë ndërtesa në të njëjtin truall, me një zhvillues privat, ndërkohë që financimi do të bëhet nga program i rindërtimit.
Për lehtësimin dhe uljen e kostove për rindërtimin e banesave është vendosur se “të gjitha ndërtimet dhe rikonstruksioni i banesave përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe tarifat e aplikimit të zbatueshme për lejet e ndërtimit, duke i lehtësuar nga një kosto relativisht e lartë. Përjashtohen nga taksat, tatimet dhe tarifat e aplikimit edhe të gjithë ato subjekte që do të shërbejnë për rindërtim.”