Në mbrëmjen gala të organizuar në Parkun Olimpik “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm” ku mes politikanëve, biznesmenëve dhe figurave të shquara që janë solidarizuar për të dhënë kontributin e tyre për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ka rënë në sy mungesa e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që sipas burimeve të Realstory.al, kjo mungesë ka qenë e qëllimshme nga ana e kryebashkiakut. Ndërkohë që përfaqësues dhe ministrat e qeverisë janë të pranishëm në koncertin e solidaritetit.
Arsyet e kësaj mungese nuk janë bërë publike, por mungesa e tij ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, ku nuk kanë marrë pjesë vetëm përfaqësues publikë shqiptarë, por dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së veriut, Zoran Zaev, të cilët mbërritën të premten në Tiranë për të marrë pjesë në samitin e tretë të Shengenit Ballkanik.
Vetëm pak orë më parë kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e pallateve, të cilëve u la porosi të angazhohen në procesin e heqjes së depozitave nga pallatet ku rrezikohet jeta e banorëve.
Kjo mbrëmje, e cila do të shoqërohet me një koncert të jashtëzakonshëm është zhvilluar në mbështetje të të prekurve nga tërmeti me qëllim që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të tregohemi solidarë në një situatë të tillë të fatkeqësisë natyrore. Në këtë koncert janë bashkuar emra të mëdhenj të skenës dhe artistëve për të ardhur në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
Të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave në koncertin e solidaritetit “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, do të shkojnë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Më herët, kryeministri Rama u shpreh se ky koncert është një mundësi e mirë për t’u bashkuar në mbështetje të atyre që sot kanë nevojë jetike për gjithë ne./ RealStory.al