Makina që shpërtheu gjatë natës nga tritoli në qytetin e Vlorës, i përket Albert Kuliçit, i cili mban detyrën e prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë, i cili njihet për hetimin e disa çështjeve të rëndësishme në qytetin bregdetar duke nisur që nga tjetërsimi i pronave në bregdet e deri tek kërkesa për arrestimin e ish kryebashkiakut Shpëtim Gjika.
Shpëtim Gjika në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, Ardian Musta në cilësinë e nën/kryertarit dhe zyrtarët e tjerë si Ilir Banushi, Arben Beqiraj,Taulla Zanaj,Gentian Sherifaj, Merita Mema dhe Petro Thanasko, ishin vënë në akuzë nga prokuroria e Vlorës për çështjen e konçesionit 15-vjeçar të parkimeve në rrugët e Vlorës. Në muajin shkurt 2019, prokurori Albert Kuliçi ngriti akuzën për “Shpërdorimit të detyrës”, për zyrtarët e mësipërm, duke dërguar dosjen në gjykatë.
Ndërkohë një nga dosjet më të fundit që Kuliçi kishte në dorë është edhe ajo për për tjetërsimin e 100 hektarëve në zonën e Akërnisë në Vlorë ku është arrestuar biznesmeni Pëllumb Petritaj. Ai fillimisht u arrestua në tetor të 2018 dhe në maj 2019 u la i lirë me garanci pasurore prej 25 milion lekë të vjetra. Por Petritaj u riarrestua më 14 nëntor nga policia e Vlorës pas kërkesës së bërë nga prokurori i çështjes Albert Kuliçaj.
Ishte prokurori Albert Kuliçaj i cili kërkoi sekuestrimin e pallatit 11-katësh, për të cilin kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika u vendos në pranga, nën akuzën e dhënies së lejes së paligjshme. Prokuroria e dërgoi kërkesën në gjykatë, me pretendimin se pallati duhet të sekuestrohet pasi është ngritur në bazë të një leje të falsifikuar. Kjo akuzë çoi në arrestimin e kryebashkiakut Shpëtim Gjika disa vite më parë.