Vrau dy të rinjtë në Patos, gjykata lë në burg gardianin

AKTUALITET


Gjykata e Fierit ka dhënë masën “arrest me burg pa afat” për gardianin Martin Skëndajn i cili vetëm dy ditë më herët vrau me armë zjarri dy të rinjtë, Elis Kapaj 22 vjeç dhe Manol Rapaj 26 vjeç  në poliklinikën e Patosit.

Ngjarja ndodhur për shkak se Skëndaj nuk pranonte lidhjen e dashurisë mes motrës së tij dhe fqinjit Manol Rapaj.

Ngjarja

Manol Rrapaj që u qëllua për vdekje në poliklinikën e Patosit ishte prej kohësh në një lidhje dashurie me motrën e autorit të krimit, Martin Skëndaj. Por kjo lidhje nuk pranohej nga prindërit e vajzës. Kur e kanë marrë vesh familjarët për lidhjen e të rinjve që ishin fqinj me njëri –tjetrin, vendosën të martonin vajzën me një person tjetër në fshatin Panahor të Ballshit, duke shpresuar shkëputjen e tyre. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Edhe te fshati i burrit, Rapaj, shkonte e takonte në fshehtësi nusen e re, duke shkaktuar telashe dhe atje e duke bërë më pas që i shoqi ta ndajë për tradhti. Pasi u kthye në fshat, lidhja mes motrës së autorit dhe Manol Rapajt vazhdoi e qetë për disa kohë, por kur nëna e Rapajt i ka gjetur në një dhomë, në shtëpinë e saj, ka nisur një sherr i ri.

Kjo bëri që tri ditë para vrasjes, familjarët të përleshen mes tyre, duke u rrahur brutalisht me leva, sëpata e mjete të tjera të forta. Policia ka mbërritur për t’i ndarë dhe ka shpresuar se gjërat mes tyre do të qetësoheshin, megjithatë ditën e enjte gjithçka shkoi drejt një ngjarjeje fatale. Nga ana tjetër, familjarët e Rapajt kanë vijuar të bëjnë me faj Policinë, e cila, sipas tyre e mori vesh konfliktin dhe nuk mori masa për të parandaluar vrasjen.

Manol Rapaj, 26 vjeç, dhe kushëriri i tij, Elis Kapaj, 22 vjeç, u qëlluan për vdekje pas një sherri nga polici i burgjeve, Martin Skendaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:20 të së enjtes brenda ambienteve të Poliklinikës së Patosit.



Skip to toolbar