83 milionë njerëz më shumë se 1 vit më parë, popullsia e botës po rritet frikshëm

AKTUALITET


Fondacioni Gjerman për Popullsinë Botërore në Hanover njoftoi se natën e vitit të ri në botë do të ketë përafërsisht 7.754.847.000 njerëz, ose thënë ndryshe 83 milionë më shumë se një vit më parë. Sipas këtij fondacioni çdo sekondë Tokës i shtohen 2,6 banorë. Kjo shifër del nga raporti i lindjeve dhe vdekjeve gjatë së njëjtës periudhë. Parashikohet që në vitin 2023 popullsia në botë do të jetë 8 miliardë.

Rritjen më të madhe të popullsisë e ka Afrika. Deri në vitin 2050, sipas parashikimeve numri i banorëve të këtij kontinenti do të jetë 2,5 miliardë nga rreth 1,3 miliardë që ka aktualisht. Pra do të ketë dyfishim të popullsisë. Gratë në Afrikë lindin ndërkohë mesatarisht 4,4 fëmijë, më shumë se mesatarja botërore me 2,4 fëmijë për grua.

Se si është e shpërndarë popullsia në kontinente, fondacioni e shpjegon përmes një modeli: Nëse bota sot do të ishte një fshat me 100 banorë, 59 syresh do të vinin nga Azia, 17 nga Afrika, dhjetë nga Europa, tetë nga Amerika Latine, pesë nga Amerika e Veriut dhe një nga Oqeania. Në vitin 2050 ky fshat do të kishte gjithsej 128 banorë.



Skip to toolbar