Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj foli për kërcënimet që u bëhen drejtorëve të burgjeve, ku tha se shumë shpejt do të ngrihet një strukturë e posaçme që ka si objektiv ruajtjen e zyrtarëve të lartë të Burgjeve, të cilët janë kërcënuar nga të burgosurit. Rasti i fundit i kërcënimit të një drejtori të burgjeve është edhe ai i Agim Ismailit, i cili ka kërkuar dhe mbrojtje nga shteti, ndërsa Gjonaj tha se aktualisht 3 zyrtarë të burgjeve po ruhen nga Policia e Shtetit për shkak të kërcënimeve.
Gjonaj foli edhe për vettingun e noterëve ku është duke u bërë një kontrolli i detajuar i licencave të tyre në të gjithë vendin.
“Strukturë të posaçme për të marrë në ruajtje zyrtarët e lartë të burgjeve, të cilët kërcënohen nga të dënuarit. Po kryejmë vettingun e noterëve, pra verifikimin e titujve të tyre. Po verifikojmë çdo noter sesi e ka marrë licencën. Rishikuam marrëveshjen e transferimit të të dënuarve nga Britania e Madhe. Tre zyrtarë të Burgjeve janë në ruajtje, për shkak se kanë marrë kërcënime. 110 punonjës burgjesh të referuar në prokurori për vepra të ndryshme penale” tha Gjonaj.