Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shfaqur në pritjen e fundvitit që partia e tij e ka organizuar në një prej restoranteve në Prishtinë, ndërkohë që gjatë ditës ai ka refuzuar dy ftesat që i ka bërë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për ta mandatuar për krijimin e institucioneve të reja.
Ftesën e parë Thaçi ia kishte dërguar për në orën 13:30, ndërkohë pas arsyetimit të Kurtit se gjendet jashtë Prishtinës, Thaçi i ka dërguar edhe ftesën e dytë për në orën 20:00, e cila gjithashtu është refuzuar nga Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes ka folur për mediat, duke treguar pse ka refuzuar dy ftesat e sotme të presidentit të Republikës. “Kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se sigurisht që do të takohet me Thaçin, por që paraprakisht ka theksuar se do të shqyrtojë nenet që janë përmendur. “Kam qenë në Shkup dhe unë nuk e kam agjendën sot për sot”. Sipas tij nuk duhet vonuar, por as nxituar.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë një deklaratë zyrtare ku njoftonte se Albin Kurti ndodhej në një vizitë jashtë Prishtinës dhe e ka të pamundur të jetë në takimin me presidentin. Më tej në deklaratë theksohej se vetë Kurti do ta njoftonte presidentit në ditët në vijim për zhvillimin e një takimi mes tyre.
Më herët presidenti Thaçi i dërgoi një ftesë Kurtit për ta mandatuar për krijimin e Qeverisë. Ftesa i është dërguar liderit të Vetëvendosjes, si partia e parë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.