PD prezanton paketën për biznesin e vogël. Premton heqjen e disa taksave

AKTUALITET


Përfaqësues të opozitën janë takuar të dielën me përfaqësues të biznesit të vogël dhe shoqatën e biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri. Ata janë njohur me problematikat e biznesit, ndërsa kanë prezantuar dhe paketën e tyre për të ndihmuar biznesin. Dorjan Teliti, Drejtor i Kabinetit në PD u shpreh se biznesi i vogël është zemra e çdo ekonomie, që sipas tij po përjeton një infarkt. Ai prezantoi dhe një pjesë të paketës së PD për këtë kategori duke theksuar se do të hiqen të gjitha taksat dhe do të lihet vetëm tatimi 0.5% e xhiros vjetore.

“Ajo që në bëmë sot me përfaqësues të shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë ishte dhe prezantimi i platformës së PD-së dhe opozitës së bashkuar për rimëkëmbjen dhe ringjalljen e biznesit të vogël dhe të mesëm në të gjithë vendin. Atë që ne kemi bërë gjatë 58 takimeve në terren gjatë 2-3 javëve të fundit ku kemi parë nga afër hallet dhe problemet e biznesit të vogël por nga ana tjetër ne nuk jemi ndalur këtu, kemi prezantuar dhe platformën tonë dhe vizionin tonë se si mund të ringjallet biznesi i vogël dhe i mesëm dhe të ngjallet ekonomia shqiptare”, tha Teliti.

“Qartë dhe thjeshtë. Çdo biznes me xhiro vjetore deri në 140 mijë dollarë në vit, ose thënë ndryshe 350 dollarë në ditë do të paguajë zero TVSH dhe zero Tatim fitim të thjeshtuar mbi biznesin e vogël. Do të paguajë vetëm 0.5 % të xhiros, taksë fikse vjetore. E thënë ndryshe, akoma dhe më qartë: një biznes i cili bën xhiro 20 mln lekë të vjetra në vit do të paguajë taksë vjetore 100 mijë lekë të vjetra. Një biznes i cili bën xhiro 50 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë taksë vjetore 250 mijë lekë të vjetra, një biznes i cili bën xhiro vjetore 100 milionë lekë të vjetra në vit do të paguajë vetëm 500 mijë lekë taksë vjetore dhe kaq mbaron këtu”.

“S’do të ketë më as taksa lokale, as taksa bashkiake, as taksa qendrore. Të tëra do të jenë në masën totale 0.5 % të xhiros. Gjithashtu do të vendoset pulla fiskale në xham. Mjaft dhe stop me kontrollet abuzive të taksidarëve! Çdo taksidar i cili do të guxojë në të ardhmen që nga momenti që ne do ta implementojmë, që nga momenti që ne do të kemi besimin e qytetarëve shqiptarë për të ardhur në drejtim të punëve të vendit me votë të lirë dhe të ndershme, që nga momenti i parë që do kemi mundësinë do të implementojmë këtë politikë pro biznesit të vogël dhe të mesëm dhe çdo taksidar s’do të ketë më me ligj të drejtën të hyjë brenda biznesit”, deklaroi Teliti.



Skip to toolbar