Nga Mero Baze
Shqipëria po mbyll një vit të vështirë politik, në fund të të cilit, vendi është pa opozitë në institucione dhe me një President ndaj të cilit ka nisur një proces shkarkimi, për shkak të një krize të rëndë politike, shkaktuar nga përpjekja për të bllokuar finalizimin e “Reformës në Drejtësi”.
Edhe pse duket e pazakontë, “Reforma në Drejtësi”, edhe pse e papërfunduar, është arsyeja pse shteti shqiptar arriti t’i mbijetojë destabilizimit. Kjo lidhet pikë së pari me arsyet përse nisi destabilizimi. Në fund të vitit të shkuar opozita u kthye në Kuvend, pas një bojkoti të gjatë, dhe askush nuk priste që ajo të digjte mandatet. Po të ishte ky një plan më i hershëm, ata nuk kishin pse ktheheshin në fund të dhjetorit në parlament, për të ikur në fund të janarit. Një plan i ri, i diktuar nga jashtë ekipit drejtues formal të opozitës, është i vetmi shpjegim, pse në fund të janarit, e njëjta opozitë që ishte kthyer në Kuvend, një muaj më parë, të shpallte largimin nga Kuvendi dhe djegien e mandateve.
Brenda atij muaji nuk kishte ndodhur asgjë e re për të marrë këtë vendim drastik. Sali Berisha dhe Ilir Meta, duket se ju bashkuan një plani radikal, për të nxjerrë opozitën nga institucionet dhe për të bojkotuar më tej zgjedhjet lokale, me shpresë se vendi do të destabilizohej dhe rrotacioni i dhunshëm i pushtetit mund të ndalte Reformën në Drejtësi. “Reforma në Drejtësi”, ishte armiku real, dhe për ta mundur atë, duhej një destabilizim. Zgjedhjet normale dhe jeta normale parlamentare nuk e ndalnin dot. Ndaj plani për destabilizim, ishte e vetmja zgjidhje për të ndalur “Reformën në Drejtësi”.
Nga ana tjetër, pikërisht pse destabilizimi nisi për shkak të “Reformës në Drejtësi”, Qeveria shqiptare duke u rreshtuar në anën e “Reformës në Drejtësi”, fitoi mbështetjen e SHBA, Bashkimit Europian dhe faktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare në këtë betejë. Në rrethana të tjera, sikur të mos ishte “Reforma në Drejtësi”, Edi Rama nuk do ta kishte as mbështetjen e SHBA, as të Bashkimit Europian, në një krizë politike të pistë, si kjo e Shqipërisë, ku Presidenti cakton dy data zgjedhjesh, një prej të cilave nuk e ka çdekretuar akoma, ndërsa deputetët djegin mandatet brenda dy ditësh, sikur të ishin manekinë të kurdisur nga një njeri, dhe jo njerëz që duhet minimalisht të demonstrojnë një farë personaliteti. Nga i gjithë ai parlament, vetëm Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi patën kurajën të ndahen nga “tufa” dhe të marrin vendimet e tyre.
Sikur të mos ishte “Reforma në Drejtësi”, vështirë se qeveria e Edi Ramës do ta kishte marrë atë mbështetje për të rezistuar, në një mjedis politik të rënduar nga një klimë akuzash për korrupsion, dhe me kandidatë të ekspozuar disa herë shumë keq, në raport me ligjin e dekriminalizimit. Pikërisht se Perëndimi dhe shoqëria shqiptare e lexoi përpjekjen për destabilizim si një betejë kundër “Reformës në Drejtësi”, ata i dhanë shansin qeverisë t’i mbijetojë kësaj krize.
Zgjedhjet e 30 qershorit, janë një histori e pazakontë e vendosmërisë së qytetarëve, për të mposhtur jo vetëm dhunën fizike dhe verbale, por dhe përpjekjen për t’i poshtëruar nëse dilnin në votime. Dalja e tyre në zgjedhje dhe beteja e qartë e SHBA dhe Bashkimit Europian për t’i mbështetur ato zgjedhje përballë planit të Presidentit dhe opozitës për destabilizim, janë një nga tragjeditë e mëdha të shmangura të shtetit shqiptar. Nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, sot nuk do të kishim as pushtet qendror, as lokal, as President, as Parlament dhe as opozitë. Do të ishim në kaos të plotë.
Për ta nënkuptuar këtë, shikoni se si po vazhdon beteja e Presidentit pas dështimit të destabilizimit të shtetit. Në mes të gërmadhave të “Revolucionit” të dështuar, ai vazhdon të kërkojë kufomën e “Reformës në Drejtësi”, duke vazhduar të pengojë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke hyrë në konflikte verbale dhe ligjore me KED, dhe duke i shpallur luftë Perëndimit, në emër të asaj që ai e quan “Republikë e ambasadorëve”. Kjo tregon shumë përse u nis ai “Revolucion”.
“Reforma në Drejtësi” e shpëtoi shtetin shqiptar ende pa lindur. E shpëtoi duke i dalë zot, pikërisht pse po tentohej shkatërrimi i shtetit për shkak të saj. E shpëtoi jo vetëm se është një projekt Perëndimor për Shqipërinë, por dhe një projekt që shqiptarët e besojnë më shumë se sa qeverinë dhe opozitën. Është projekti i vetëm që ka shumicën në këtë vend.