Dy besimtarë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në Teksas, si pasojë e një sulmi me armë zjarri brenda një kishe.
BBC raporton se fill pas sulmit të personit në fjalë, pjesëtarët e armatosur të kishës, që kujdesen për sigurinë e saj e kanë qëlluar vrasësin për vdekje. Sipas një ligji të miratuar në muajin shtator, personat që kanë leje, mund t’i mbajnë armët e tyre edhe në vendet e lutjes.
Vrasësi u fut në kishë në periferi të Fort Worth, nxori një armë gjahu dhe filloi të hapte zjarr.
Ende nuk dihet arsyeja e këtij sulmi me armë që zgjati gjashtë sekonda ku mbetën të vdekur 2 persona dhe 3 të tjerë u plagosën.
Shefi i policisë i vlerësoi si “veprime heroike” të personelit të sigurisë së Kishës që reaguan menjëherë dhe e qëlluan për vdekje vrasësin.
Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 11:50, ndërsa mesha po transmetohej live në rrjetet sociale.
Dëshmitarët kanë raportuar se sulmuesi kishte një mjekër të rreme dhe syze, si dhe ka bashkëbiseduar me besimtarët para se të niste sulmin. Byroja Federale e Kërkimeve (FBI) është duke e ndihmuar policinë lokale në procesin e hetimeve, e cila është duke punuar të identifikojë motivin e sulmuesit.
Dëshmitarja Isabel Arreola i tha transmetuesit lokal CBS se: “Ishte gjëja më e frikshme. Ndjeva se jeta po shuhej përpara syve të mi. Më së shumti u shqetësova për vogëlushin tim.”
Teksasi është përballur me një varg sulmesh me armë zjarri në 2019-n. Në muajin gusht, 22 persona janë vrarë dhe 24 të tjerë janë plagosur në një dyqan në El Paso.
Në po të njëjtin muaj, disa të shtëna të tjera kanë rezultuar me vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve në Odesa të këtij shteti.