Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka organizuar një protestë para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar informacion lidhur me procedurat e tenderit për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Në një deklaratë për mediat përfaqësuesi Ervin Goci bëri thirrje për transparencë lidhur me informacionin e kërkuar.
“Kemi ardhur për të denoncuar mungesën e transparencës. Nga ky moment për titullarët e Bashkisë të fillojë një hetim dhe sot po ushtrojmë një të drejtë, atë që nuk na u dha virtualisht, do ta marrim fizikisht duke futur dy juristë që të marrin informacion se çfarë po ndodh me Teatrin”, u shpreh Goci për mediat.
Sipas Aleancës ata po protestojnë për të denoncuar mungesën e transparencës në lidhje me këtë tender si minimumi i detyrimit ligjor që ka Bashkia.
“Konkursi për tenderin e teatrit nuk është publikuar në faqen zyrtare të bashkisë, nuk është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik. Ligji parashikon qartë që tenderët duhet të jenë publikë duke paraqitur edhe ofertuesit dhe fituesit. Në këtë moment nuk kemi asnjë informacion se cila ka qenë procedura për zbatim të VKM 322″, ka theksuar Ardiana Kalaja.
Aktori Mehdi Malko i cili ishte i pranishëm në këtë protestë tha: “Në fakt unë jam si macja përballë pianos kur flitet për ligje. E kam thënë dhe e them, teatri nxori bllof të gjithë arkitektët. Tërmeti e faktoi këtë, kryetari të ndërtojë diçka për ata që vuajnë nga pasojat e tërmetit sepse teatri është aty në këmbë”.
Për Neritan Liçaj teatri është pronë e gjithë shqiptarëve dhe për këtë arsye kryetari i Bashkisë duhet të bëjë transparencë:
“Teatri është pronë e bashkisë dhe e gjithë kombit. Tirana është e gjithë shqiptarëve. Zotëria kryetari i bashkisë duhet të bëj transparente tenderin sepse sot erdhëm si çetë por e sigurojë që herë të tjera do vijnë regjimente”, tha aktori.
Ndërtimi i teatrit të ri është një ndër prioritetet e bashkisë për vitin e ardhshëm, ndërkohë që kjo çështje do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së bërë nga presidenti Meta, i cili është kundër shembjes së teatrit të vjetër.